Foto: Dogana e Kosovës, Facebook

Dogana e Kosovës e quan historike vizitën e Osmanit në Portin e Durrësit

Dogana e Kosovës e ka quajtur moment historik vizitën e Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani në Portin e Durrësit dhe ka treguar se nga zhdoganimi i këtij porti, Kosova ka kursyer 255 milionë euro.

“Vizita e sotme e Presidentes së Republikës së Kosovës Dr. Vjosa Osmani- Sadriu në Portin e Durrësit ka nderuar arritjet e jashtëzakonshme që rezultojnë nga aranzhimi për kryerjen e operacioneve të zhdoganimit në Portin e Durrësit, që nga 1 tetori i vitit të kaluar” – shkruan Dogana.

Kjo nismë strategjike, sipas Doganës, e mbështetur nga marrëveshja mes Koosvës dhe Shqipërisë, ka sjellë përfitime të konsiderueshme për të dyja vendet.

Në këtë vizitë, siç njofton Dogana, Osmani ka theksuar rëndësinë e përdorimit të këtij Porti nga ana e bizneseve kosovare, duke vënë në pah se zhdoganimi i Doganës së Kosovës në Portin e Durrësit kursen kohën dhe koston dhe e lehtëson operimin e bizneseve kosovare në tregjet ndërkombëtare.

Dogana e Kosovës ka thënë se përfitimet e zhdoganimit janë reduktimi i kostos për ekonominë e Kosovës, rritja e trafikut në Portin e Durrësit, rritja e integrimit të sistemit dhe mundësive ekonomike.

“Një nga arritjet e theksuara është ulja e ndjeshme e kostove për ekonominë e Kosovës, duke arritur në një kursim vjetor prej 9 milionë euro. Ky efikasitet i kostos ka kontribuar drejtpërdrejt në mirëqenien ekonomike të Kosovës dhe bizneseve të saj” – thuhet në komunikatën e Doganës.

Porti i Durrësit, sipas këtij njoftimi, ka pasur 50% rritje të trafikut nga tregtia e jashtme e Kosovës krahasuar me vitin e kaluar.

Ky fluks, i përkthyer në para, siç thotë Dogana e Kosovës, e bën Portin e Durrësit dukshëm më konkurrues brenda rajonit, kështu duke pëfituar e gjithë ekonomia e Shqipërisë.

“Dogana e Kosovës sivjet ka arkëtuar 255 milionë euro nga procesi i zhdoganimit në Portin e Durrësit. E rëndësishme është se kjo është arritur pa asnjë implikim shtesë në kosto për fondet publike, falë efikasitetit të integrimit” – thuhet më tej në njoftim.

Nga mësimet e nxjerra gjatë këtij bashkëpunimi të suksesshëm, Dogana e Kosovës thotë se bashkë me atë të Shqipërisë po eksplorojnë mundësitë për të shtrirë integrime të ngjashme në fusha të tjera me interes të përbashkët.

Ministritë e Brendshme të të dy vendeve, në korrik kanë nënshkruar deklaratën e përbashkët të qëllimit duke u zotuar bashkërisht për intensifikimin e bashkëpunimit në fushën e sigurisë.

Qeveria pati thënë se ky bashkëpunim fokusohet në lehtësimin e qarkullimit ndërkufitar dhe avancimin e shkëmbimit të informacioneve përmes sistemeve të menaxhimit të kufirit, avancimin e Qendrës së Përbashkët për Menaxhimin e Integruar të Kufirit, si dhe avancimin e bashkëpunimit në parandalimin dhe luftimin e krimit.

Në të njëjtën kohë me këtë marrëveshje, Kosova dhe Shqipëria kishin nënshkruar edhe 12 të tjera.