Porti i Durrësit Foto: Edi Rama, Facebook

Jahti i Bezosit dhe i sheikut arab ndalojnë në Durrës, Rama: Në Portin e Durrësit janë pritur 257 jahte të mëdha turistike

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, është lavdëruar për sezonin turistik në Durrës duke treguar se dy jahte luksoze janë ndalur në këtë qytet, në ditët e para të shtatorit.

“Lürssen dhe Koru nuk janë emrat e asnjë personazhi vizatimor, por superjahtet luksoze që kanë zgjedhur Durrësin për t’u ndalur në këto ditë të para të shtatorit” – ka shkruar Rama në Facebook, krahas fotografive të jahteve.

Rama ka shtuar se ky sezon ka qenë fantastik për Portin e Durrësit me 257 jahte të mëdha turistike dhe 21 kroçera që thotë se janë mikpritur nga autoritetet shqiptare.

Këtë, kryeministri shqiptar e quajti shembull të vogël të flukseve të shtuara turistike, të cilat sipas tij, do të rriten edhe më shumë, falë investimeve dhe transformimeve të mëdha në infrastrukturën portuale që do të realizohen.

Super jahti “Opera” i sheikut Abdullah bin Zayed Al Nahyan, ministër i Jashtëm i Emirateve të Bashkuara Arabe dhe anëtar i familjes mbretërore të Emirateve të Bashkuara Arabe mbërriti sot në Durrës, raporton Top Channel. “Opera Yacht” është një nga superjahtet më të mëdha në botë, me një vlerë prej 450 milionë dollarësh, i prodhimit të vitit 2022.

Dje, në portin e Durrësit mbërriti jahti “Koru” i themeluesit të Amazon Jeff Bezos, raporton Top Channel. Jahti i tij ndaloi në portin më të madh shqiptar për t’u furnizuar me 170 mijë litra karburant, para se të riniste lundrimin drejt Italisë. Me një vlerë prej 500 milionë dollarësh dhe prodhimi i vitit 2023, ai është jahti i dytë më i madhi me vela në botë dhe në një kohë të gjatë në Holandë me një gjatësi prej 127 metrash.