Luftëtarët talibanë duke patruar në Kabul më 30 maj 2022. Foto REL

Dy vjet nga marrja e pushtetit nga talibanët në Afganistan, gratë dhe vajzat po e paguajnë çmimin

Janë bërë dy vjet nga marrja e pushtetit nga talibanët, të morën udhëheqjen pasi forcat e SHBA-së dhe NATO-s u tërhoqën nga ky vend pas dy dekadash lufte.

Talibanët nuk përballen me asnjë opozitë të rëndësishme që mund t’i rrëzojë ata. Ata i kanë shmangur ndarjet e brendshme duke rënë në radhë pas udhëheqësit të tyre ideologjikisht të papërkulur. Ata e kanë mbajtur një ekonomi në vështirësi, pjesërisht duke zhvilluar bisedime për investime me vendet e rajonit të pasura me kapital, edhe pse komuniteti ndërkombëtar nuk pranon njohjen zyrtare të qeverisë së talobanëve. Ata kanë përmirësuar sigurinë e brendshme përmes goditjeve ndaj grupeve të armatosura, të tillë si Shteti Islamik dhe thonë se po luftojnë korrupsionin dhe prodhimin e opiumit.

Mirëpo, ndalesat e shumta ndaj vajzave dhe grave afgane dominuan vitin e dytë të talibanëve në krye. Ata i ndaluan gratë nga vizitat në parqe, palestra, universitete dhe vende të punës në grupet joqeveritare dhe Kombet e Bashkuara – të gjitha brenda pak muajsh – gjoja sepse ato nuk mbanin hixhabin e duhur – mbulesën islame të kokës – ose gjoja se i shkelnin rregullat e ndarjes gjinore. Këto urdhra pasuan një ndalim të mëparshëm, të lëshuar në vitin e parë të sundimit taliban, për vajzat që të shkonin në shkollë përtej klasës së gjashtë.

Pse i kanë përjashtuar gratë nga arsimi i lartë, vendet e punës dhe hapësirat publike?

Talibanët thonë se janë të përkushtuar ta zbatojnë interpretimin e tyre të ligjit islamik, ose Sheriatit, në Afganistan. Kjo nuk lë hapësirë për ndonjë gjë që ata mendojnë se është e huaj apo laike, si për shembull gratë që punojnë apo studiojnë. Është ajo që i shtyu ata në fund të viteve 1990 kur morën pushtetin për herë të parë në Afganistan, dhe kjo i shtyn ata tani, që kur morën përsëri kontrollin mbi shtetin më 15 gusht të vitit 2021.

Udhëheqësi i tyre suprem Hibatullah Akhundzada i ka lavdëruar ndryshimet e vendosura që nga marrja e pushtetit, duke pretenduar se jeta për gratë afgane u përmirësua pasi trupat e huaja u larguan dhe hixhabi u bë përsëri i detyrueshëm.

Cila ishte përgjigjia ndaj këtyre ndalesave?

Qeveritë e huaja, grupet e të drejtave dhe organet globale i kanë dënuar kufizimet apo ndalesat ndaj grave. OKB-ja tha se ato ishin një pengesë e madhe për talibanët që të fitonin njohjen ndërkombëtare si qeveri legjitime e Afganistanit. Ndihmat jashtë shtetit po shterojnë pasi donatorët kryesorë po e ndalojnë financimin e tyre, të tërhequr në drejtime të ndryshme nga krizat e tjera dhe të shqetësuar se paratë e tyre mund të bien në duart e talibanëve.

Mungesa e fondeve, si dhe përjashtimi i grave afgane nga ofrimi i shërbimeve thelbësore humanitare, po e godet rëndë popullatën, duke i shtyrë më shumë njerëz në varfëri.

Si janë kushtet e jetesës në Afganistan?

Gati 80% e buxhetit të mëparshëm të qeverisë afgane, të mbështetur nga Perëndimi, vinte nga komuniteti ndërkombëtar. Këto para – tani kryesisht të ndaluara – financuan spitale, shkolla, fabrika dhe ministritë e qeverisë. Pandemia e COVID-19, mungesat mjekësore, ndryshimet klimatike dhe kequshqyerja e kanë bërë jetën më të dëshpëruar për afganët. 

Tani është viti i tretë me radhë në të cilin Afganistani po përballet me kushtet  të thatësirës, kolapsit të vazhdueshëm të të ardhurave të familjeve dhe kufizimeve në bankat ndërkombëtare. Gjithashtu po vuan ende nga dekada lufte dhe fatkeqësish natyrore.

Në çfarë gjendje është ekonomia?

Banka Botërore tha muajin e kaluar se monedha vendase, afgani, fitoi vlerë kundrejt monedhave kryesore. Klientët mund të tërheqin më shumë para nga depozitat individuale të bëra përpara gushtit të vitit 2021 dhe shumica e nëpunësve civilë po paguhen. Banka Botërore e përshkroi mbledhjen e të ardhurave si “të shëndetshme” dhe tha se shumica e artikujve bazë mbeten të disponueshme, megjithëse kërkesa është e ulët.

Talibanët kanë zhvilluar bisedime për investime me vendet në rajon, duke përfshirë Kinën dhe Kazakistanin. Ata duan që të hiqen sanksionet dhe të lirohen miliarda dollarë në fondet e ngrira, duke thënë se këto masa do ta lehtësojnë vuajtjet e afganëve. Por komuniteti ndërkombëtar do të ndërmarrë hapa të tillë vetëm pasi talibanët të ndërmarrin veprime të caktuara, duke përfshirë heqjen e kufizimeve për gratë dhe vajzat.

Sa mund ta ndryshojnë kursin e tyre talibanët?

Një gjë e tillë kryesisht varet nga lideri taliban, Akhundzada. Kleriku ka emëruar ministra të qeverisë dhe dijetarë islamikë në rrethin e tij. Ai qëndron pas dekreteve për gratë dhe vajzat. Dekretet e tij, të përshtatura në gjuhën e ligjit islam, janë absolute. Ndalimet do të hiqen vetëm nëse Akhundzada e urdhëron atë. Disa figura talibane janë shprehur kundër mënyrës se si merren vendimet dhe ka pasur mosmarrëveshje rreth ndalimeve për gratë dhe vajzat. Por, zëdhënësi kryesor i talibanëve, Zabihullah Mujahid, i kritikoi këto raporte si propagandë.

“Sekreti i suksesit të tyre është se ata janë të bashkuar,” thotë Abdul Salam Zaeef, i cili ka shërbyer si i dërguar i talibanëve në Pakistan kur ata sunduan Afganistanin në vitet 1990. “Nëse dikush shpreh mendimin e tij ose mendimet e tij, kjo nuk do të thotë se dikush është kundër udhëheqjes ose do të shkojë në një anë tjetër”, thotë Zaeef, i cili kaloi disa vite në qendrën e paraburgimit të Gjirit të Guantanamos pas pushtimit të nga SHBA në 2001. “Mosmarrëveshjet vihen para emirit (Akhundzada) dhe ai vendos. Ata ndjekin fjalën e tij.”

Po njohja ndërkombëtare?

Zyrtarët e ndihmave thonë se talibanët e shohin njohjen si një të drejtë, jo diçka për t’u negociuar. Zyrtarët përmendin gjithashtu takimet e nivelit të lartë me shtete të fuqishme si Kina dhe Rusia si shenja se talibanët po i ndërtojnë marrëdhëniet dypalëshe në mënyrën e tyre. Kryeministri i Katarit u takua me Akhundzada në qytetin jugperëndimor afgan të Kandaharit në qershor, takimi i parë i tillë i njohur publikisht midis liderit suprem dhe një zyrtari të huaj.

Edhe pse talibanët janë zyrtarisht të izoluar në skenën globale, ata duket se kanë mjaft ndërveprime dhe angazhim që lidhjet me vendet të afrohen drejt normalizimit. Bashkëpunimi me talibanët për narkotikët, refugjatët dhe kundër terrorizmit është me interes globalisht, duke përfshirë edhe Perëndimin. Vende si Kina, Rusia dhe Pakistani fqinjë duan t’i jepet fund sanksioneve.

“Ndërveprimet politike janë të tilla që asnjë vend në rajon nuk po mendon ta vendosë Afganistanin nën pushtetin apo kontrollin e tyre”, thotë Zaeef. Ai shton se shtrirja e talibanëve me jashtë pengohet nga listat e zeza që i pengojnë zyrtarët të udhëtojnë dhe nga mungesa e bazës së përbashkët me pjesën tjetër të botës.

Çfarë opozite ka pushteti i talibanëve?

Nuk ka asnjë opozitë të armatosur apo politike me mbështetje të mjaftueshme të brendshme apo të jashtme për ‘i rrëzuar talibanët. Një forcë luftarake që i reziston sundimit taliban nga Lugina Panjshir në veri të Kabulit po spastrohet me dhunë. Protestat publike janë të rralla.

Shteti Islamik ka goditur objektiva të profilit të lartë në bomba vdekjeprurëse, duke përfshirë dy ministri qeveritare, por militantëve u mungojnë luftëtarët, paratë dhe burimet e tjera për të kryer një ofensivë të madhe kundër talibanëve./AP