Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Dy pacientë me COVID-19 në kujdes intensiv dhe 29 të tjerë me oksigjeno-terapi

Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës ka njoftuar se 11 pacientë të infektuar me coronavirus janë duke u trajtuar në Klinikën Infektive si dhe dy pacientë të tjerë janë në kujdes intensiv në këtë klinikë.

Ndërsa, numër më i lartë i pacientëve post-COVID-19 janë duke u trajtuar në Klinikën e Pulmologjisë.

Në anën tjetër, që nga fillimi i pandemisë pacientët me coronavirus janë duke u trajtuar edhe në spitalet rajonale në vend.

Spitali i Ferizajt është duke trajtuar gjashtë pacientë, në Spitalin e Mitrovicës dhe Gjakovës janë duke u trajtuar nga pesë pacientë, ndërsa dy pacientë po marrin kujdes mjekësor në Spitalin e Gjilanit si dhe një në Spitalin e Prizrenit.

Numri i pacientëve me COVID-19 që po trajtohen në Klinikën Infektive dhe spitalet regjionale është duke u zvogëluar çdo ditë. Derisa më 16 tetor në ShSKUK ishin duke u trajtuar 90 pacientë me COVID-19, sot, ky numër ka rënë në 59.

Ministria e Shëndetësisë dje ka njoftuar se brenda 24 orëve në nivel vendi është shënuar një rast i vdekjes si dhe 17 qytetarë të tjerë kanë rezultuar pozitiv me COVID-19.

Aktualisht në Kosovë janë 562 raste aktive me coronavirus.