FOTO: Policia e Shtetit/Facebook.

Durrës, përfundojnë në polici çifti që dyshohet se planifikonin ta shisnin foshnjën ende pa u lindur

Policia e Shqipërisë ka bërë të ditur se policia në Durrës ka arrestuar një 27 vjeçar me inicialet E. N. dhe se ka nisur procedim penal në gjendje të lirë për bashkëshorten e tij 25 vjeçare me inicialet Xh. H., pasi dyshohen se ata kishin planifikuar për të shitur foshnjën që mbante në bark 25 vjeçarja.

Kjo është zbuluar përmes emisionit “Fiks Fare”.

“Mbrëmjen e djeshme, këta dy shtetas janë shfaqur në një video të transmetuar gjatë emisionit investigativ “Fiks Fare”, duke biseduar me një shtetas tjetër (i infiltruar nga stafi i këtij emisioni), për të shitur foshnjën që mbante në bark bashkëshortja shtatzënë (shtetasja Xh. H.), kundrejt shumës 5000 euro”- thuhet në njoftimin e Policisë.

Policia tutje ka bërë të ditur se materialet hetimore i kanë kaluar Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprën penale “Trafikimi i të miturve”, mbetur në tentativë, dhe kanë njoftuar se vijon puna hetimore për dokumentimin e plotë të këtij rasti.