Ilustrim

Drenasi dhe Obiliqi hapin çerdhet

Komuna e Drenasit  dhe ajo e Obiliqit kanë njoftuar se që nga sot çerdhet në këto qytete janë hapur.

Drejtori i Arsimit në Drenas, Muhamet Gjoka ka thënë për KALLXO.com se ka pasur kërkesa për hapjen e tyre si dhe është bërë dezinfektimi i çerdheve.

“ Ka pas kërkesa për informata se kur do të hapen. Ato nga sot janë hap gjithashtu është bërë dezinfektimi i tyre”, tha Gjoka.

Komuna e Obiliqit gjithashtu ka njoftuar se sot është bërë hapja e çerdheve.

Rexhep Zeka, ushtruesi i detyrës së Drejtorit të Arsimit në Obiliq ka thënë se kanë siguruar edhe mjetet mbrojtëse për çerdhet.

“ Kemi punuar në këtë drejtim dhe kemi bërë dezinfektimin e objektit të IP “ Rrita Jonë” Obiliq, dhe po ashtu kemi bërë të gjitha përgatitjet tjera të nevojshme duke përfshirë sigurimin e masave mbrojtëse ( dezinfektues, dorëza dhe maska) që çerdhja të hapet me datë 02.06.2020 ditë e marte”, tha Zeka.

Qeveria e Kosovës të dielën ka marrë vendim për fazën e tretë të lehtësimit të masave ndaj pandemisë së COVID-19, duke përfshirë hapjen e çerdheve, kopshteve, qendrave tregtare, kafiterive dhe restoranteve.