Agjencia Kosovare e Akreditimit Përjashtohet nga Një Organizatë Ndërkombëtare

Një organizatë ndërkombëtare, ‘European Quality Assurance Register for Higher Education’ (EQAR), e ka përjashtuar Agjencinë Kosovare të Akreditimit nga anëtarësia për shkak të shkarkimit të bordit të kësaj agjencie që ishte bërë me kërkesë të Kryeministrit, Ramush Haradinaj.

Regjistri Evropian i Sigurimit të Cilësisë për Arsimin e Lartë ka marrë vendim për përjashtimin e AKA-s duke e arsyetuar se ajo ‘ka humbur aftësinë e vet për të vepruar në mënyrë autonome (dhe kështu ka pushuar së qeni në përputhje me standardin e ESG 3.3) me vendimin e shkarkimit nga Ministri më 25 shtator 2017’.

Sipas njoftimit të kësaj organizate AKA ka të drejtë ankese brenda 90 ditësh rreth këtij vendimi.

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi kishte marrë vendim për shkarkimin e Bordit të Agjencisë së Kosovës për Akreditim (Këshillit Shtetëror të  Cilësisë – KShC), si dhe ushtruesin e detyrës së drejtorit të kësaj Agjencie.

Këtë vendim ministri e ka marrë pas kërkesës së kryeministrit Ramush Haradinaj, i cili ka kërkuar edhe fillimin e menjëhershëm të procedurave për zgjedhjen e bordit të ri dhe drejtorin e AKA-së.

http://kallxo.com/ministri-arsimit-shkarkon-bordin-e-agjencise-se-akreditimit-dokument/