Drejtori i ShSKUK-së shkarkoi Drejtorin e Spitalit të Gjakovës, anëtari i Bordit e kishte propozuar këtë vendim

I pakënaqur me vendimin e Komisionit Disiplinor për ndalesën e 40% të pagës së Jeton Zararit, Drejtor i Spitalit të Gjakovës, dje Drejtori i ShSKUK-së, Elvir Azizi vendosi për shkarkimin e tij.

Ky vendim vjen pas diskutimit që Bordi i ShSKUK-së kishte mbi këtë temë, në mbledhjen e mbajtur të enjten e kaluar.

Anëtari i Bordit, Besim Demolli kishte propozuar që të shkarkohej Zarari.

“Më është duk paaftësi menaxheriale dhe pavarësisht masave të marra ndoshta opsioni më i mirë kish me qenë shkarkimi i drejtorit” – ishte shprehur Demolli.

Kryesuesi i Bordit, Naim Bardiqi e quajti vendimin e Komisionit Disiplinor “vendim hajgare”.

Në pozitën e ushtruesit të detyrës, Azizi ka enëruar Hilmi Shalën, Shef i Barnatores në Spitalin e Gjakovës. Ai kishte udhëhequr këtë spital edhe më parë.

I pakënaqur, Demolli ishte shprehur edhe me mosdorëheqjen e Drejtorit të Klinikës së Psikiatrisë, pas djegies që ndodhi në një dhomë të klinikës, ku si pasojë vdiq një pacient. Sipas tij, mosdorëheqja morale, duhet të shpërblehet me një ndëshkim moral.

Bardiqi tha se këto janë masa joreciproke në raport me pasojat.

Arsyeja e dërgimit që Azizi kishte dërguar Zararin në Komision Disiplinor kishte qenë vendimi i Zararit për t’u ndërprerë puna në sallat operative për programin e planifikuar. Arsyetimi i tij ka qenë për shkak të temperaturave të larta, pushimeve verore të stafit e kushteve jo të mira për punë.

Para Komisionit, ish – drejtori kishte deklaruar se ky vendim ishte marrë ndër vite.