Drejtori i Shëndetësisë tregon cilat janë lagjet më të prekura nga COVID-19 në Prishtinë

45 raste të reja me COVID-19 janë paraqitur vetëm dje në Prishtinë.

Kjo shifër ka çuar numrin e rasteve aktive në kryeqytet në 140.

KALLXO.com ka realizuar një intervistë me drejtorin komunal të shëndetësisë në Prishtinë, Bujar Gashi i cili ka folur për situatën e përgjithshme me virusin në kryeqytet.

 

 

 

 

Sipas Gashit në Prishtinë, sot janë testuar rreth 100 persona kontakte të personave të cilët kanë rezultuar mbrëmë me COVId-19.

“IKShPK në momentin e konfirmimit dje na kanë njoftuar mbrëmë vonë për listat e marrjes së mostrave në QKMF dhe sot kemi realizuar afër 100 testime nga kontaktet e ditës së djeshme”, ka thënë Gashi.

Gjithashtu Gashi në intervistë ka thënë se virusi është i shpërndarë në 16 lagje të kryeqytetit, porse lagjet Kodra e Trimave dhe Ulpiana janë më të prekurat.

“Rastet positive në Prishtinë janë të shtrira në 16 lagje të Prishtinës dhe realisht është i përfshirë i gjithë qyteti, nuk ka ndonjë lagje specifike më numër shumë të lartë të personave me COVID-19, por lagjet si Kodra e Trimave dhe Ulpiana janë ato që mund të ceken”, ka shtuar më tej ai.

Gjithashtu drejtori Gashi ka thënë se në Klinikën Infektive janë të shtrirë 5 pacientë me COVID-19, por që, sipas tij gjendja e tyre është stabile.

“Sipas kontakteve që ka pasur Shtabi Emergjent në Prishtinë gjatë ditës së sotme të gjitha rastet janë stabile. Në Klinikën Infektive janë të shtuar 4 pacientë të cilët kanë rezultuar pozitiv dje, ndërsa një pacient nga Prishtina ka qenë që ka rezultuar pozitiv më herët me COVID-19. Gjithsej në komunën tonë janë 5 pacientë me COVID-19 në Klinikën Infektive nga 140 rastet aktive”, ka treguar Gashi.

Ndërsa rreth mundësisë së shtimit të masave në Prishtinë, Gashi ka thënë se vendimet merren në nivelin qendror dhe nga Komuna e Prishtinës do të respektohen ato si zakonisht, e për shifrën e djeshme ai shtoi tutje se kanë qenë të pritshme për shkak të lirimit të masave.