Foto: KALLXO.com, Ilustrim

QMF-të në Prishtinë për ngrohje po përdorin radiatorët elektrik

Disa Qendrave të Mjekësisë Familjare në kryeqytetin e Kosovës një nga opsionet për ngrohje u kanë mbetur radiatorët elektrik, ose në variantin tjetër djegia e naftës, pasi “Termokos”, nuk ka arritur t’i furnizoj me ngrohje nga sistemi qendror.

Ekipi i KALLXO.com në këto qendra ka verifikuar mungesën e ngrohjes dhe radiatorët e ftohtë.

Ngrohtorja e Prishtinës,“Termokos” për shkak të pamundësisë për t’u furnizuar me avull nga KEK-u kanë ndërprerë furnizimin me ngrohje për konsumatorët.

Foto: KALLXO.com, QMF në lagjen Bregu i DiellitNë QMF-në në lagjen Bregu i Diellit nga ekipi i gazetarëve të KALLXO.com është parë se personeli shëndetësor po përdorur radiator elektrik për t’u ngrohur. Njëjtë është vepruar edhe në QMF në lagjen Dardania.

Për t’ju kundërvënë të ftohtit, edhe Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Prishtinë ka shfrytëzuar energjinë elektrike për ngrohje, sikurse kanë bërë edhe në QMF në lagjen Emshir.

Nga kjo e fundit, megjithatë kanë thënë se si opsion për t’u ngrohur e kanë edhe djegien e karburanteve të naftës.