Teste për COVID-19 me anë të pështymës, Prishtina do të përdorë këtë metodë në shkolla

Komuna e Prishtinës para disa ditësh ka nënshkruar një kontratë me vlerë 320 mijë eurosh për furnizim me teste të shpejta antigjen, të cilat nëpërmes marrjes së pështymës do tregojnë rezultatet për COVID-19.

Sipas të dhënave në kontratë, me këto para do blihen 100 mijë teste të këtij lloji.

Bujar Gashi, drejtor i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë ka thënë se Prishtina është komuna e parë që ka blerë këso teste, e të cilat tash për tash janë të dedikuara vetëm për testimin e nxënësve të shkollave.

“Prishtina është komuna e parë që ka blerë teste të tilla, ky është një test i lehtë që bëhet më anë të pështymës. Nuk është për qendra të mjekësisë familjare, por për nxënës të shkollave të Prishtinës”, ka thënë Gashi.

Gashi bëri të ditur se këto teste do kryhen nga stafi i shkollës pasi janë shumë të thjeshta në aplikim.

“Këto teste janë të thjeshta, mund të kryhen edhe në kushte shtëpie. Nuk do dërgojmë staf mjekësor pasi kurdo që fillon si proces do kryen nga stafi i shkollave”, tha Gashi.

Derisa, komuna e Prishtinës aktualisht nuk ka drejtor të arsimit që do mund të jepte më shumë detaje sa i përket kësaj nisme e procedure.

Komuna gjatë vitit të kaluar ka qenë e para që filloi me kryerjen testeve të shpejta antigjenike, rezultati i të cilave merret pas 20 minutave.

Përpos tyre, edhe analiza D-dimer (për mpiksjen e gjakut) për herë të parë kaloi si pjesë e shërbimit parësor shëndetësor nga komuna e Prishtinës, si mënyrë për të lehtësuar koston e shërbimeve për qytetarët.