Arkiv - Ngadhnjim Kastrati - Ish Drejtor Gjeneral i RTK-së

Drejtori i RTK-së i reagon ministrit Murati: Në RTK nuk janë 100 paga më të mëdha se sa paga e ministrit

Drejtori Gjeneral i Radio Televizionit të Kosovës, Ngadhnjim Kastrati ka reaguar ndaj deklaratave të ministrit të Financave, Hekuran Murati, i cili tha se në RTK janë rreth 100 paga më të mëdha se një pagë e ministrit.

Kastrati e ka quajtur të pavërtetë një deklaratë të tillë dhe përpjekje për sulm politik të RTK-së.

“Është absolutisht e pavërtetë se në RTK janë 100 punëtorë me paga më të larta se të ministrave. Këtë e di shumë mirë edhe ministri Murati. Buxheti për pagat mbetet po ai i njëjti i para tri viteve dhe si Kryetar i Komisionit paraprak i Financave, Ministri Murati është i njohur me këtë fakt.  Përpjekjet për ta sulmuar politikisht RTK-në nëpërmjet manipulimit me të vërtetat faktike është veprim i ulët, por i pakalueshëm”, ka shkruar Kastrati.

Tutje, ai ka theksuar se zvogëlimi i buxhetit prej 2.2 milionë euro nga Qeveria e Kosovës është vendim i paarsyeshëm duke thënë se RTK ka buxhetin më të ulët krahasur me mediumet publike të rajonit.

“Shkurtimi i mëtutjeshëm i këtij buxheti zbulon hapur tendencën politike për ta degraduar mediumin publik, në vend se të synohej zhvillimi i tij, si një resurs i domosdoshëm publik”, shtoi Kastrati.

 

Murati: Në RTK janë rreth 100 paga më të larta se paga e ministrit