Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Murati: Në RTK janë rreth 100 paga më të larta se paga e ministrit

Zvogëlimi i buxhetit të Radio Televizionit të Kosovës për 2.2 milionë nga Qeveria e Kosovës për vitin 2022 ka ngjallur reagime tek opozita.

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati e ka arsyetuar këtë vendim të qeverisë me pagat e larta që kanë disa punonjës të RTK-së.

Murati ka thënë se janë rreth 100 paga në RTK  më të larta se paga e një ministri në Kosovë.

“Po besoj që ju si komision ndoshta edhe e dini që janë rreth 100 paga  më të larta se paga e ministrit në RTK. Në kemi kursyer rreth  2 milionë euro nga AKP që nga ulja e pagave aty. Këtë 2 milionësh e kemi shfrytëzuar për rekrutime në FSK. E njëjta gjë mund të bëhet edhe nga RTK. Nëse RTK i ka 100 persona që marrin me shumë se paga e ministrit, kjo për mua nuk është në rregull. Konsideroj se një buxhet i tillë është i mjaftueshëm”, tha Murati.

Ndërkaq, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti gjatë diskutimit për projektligjin për buxhet të vitit 2022, është shprehur i shqetësuar me zvogëlimin e buxhetit për 2.2 milionë euro për Radio Televizionin e Kosovës. Hoti tha se ky zvogëlim mund të falimentojë RTK-në.

“E falimentojmë ketë medium publik, RTK-në nëse ia shkurtoni buxhetin për dy milionë euro. 1,082 persona keni paraparë që t’i punësoni. Në buxhetin e vitit të kaluar lidhur me buxhetin për rimëkëmbje ekonomike më keni kritikuar për rritje ndërsa e keni bërë të njëjtën gjë”, tha Hoti.

 

Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave të siguruara nga KALLXO.com, rroga bazë e ministrit është 1 mijë e 321 euro, kurse e një zëvendësministri është  1 mijë e 229 euro e 80 cent.

Ndërsa një këshilltar i lartë politik në Ministri, ka rrogën 720.72 euro.

 

Komsioni i jep dritën e gjelbër buxhetit të vitit 2022