Bordi i RTK-së: Buxheti i ndarë për RTK-në në vitin 2023 është më i vogli në 10 vitet e fundit

Bordi i Radiotelevizionit të Kosovës po e konsideron të pamjaftueshëm buxhetin prej 8.96 milionë euro të ndarë për vitin 2023 nga Kuvend i Kosovës. Ata kanë thënë se është buxheti më i vogël që i është ndarë RTK-së në 10 vitet e fundit dhe se ky buxhet është më i vogël për 2.2 milionë sesa buxheti i vitit 2021.

Deputetët kanë votuar dje në parim buxhetin e vitit 2023 në vlerë 3.2 miliardë euro. Bordi i RTK-së i ka bërë thirrje Kuvendit që të marrë parasysh kërkesat e tyre për buxhet më të madh për mediumin publik, duke u shprehur i shqetësuar me ndarjen buxhetore prej 8.96 milionë euro.

“Ky buxhet është më i vogël për 2.2 milionë sesa buxheti i vitit 2021, kohë kur RTK-ja qartazi keq menaxhohej. Këtë keq menaxhim e ka vërtetuar edhe Zyra Kombëtare e Auditimit në Raportin e tyre të auditimit të performancës së RTK-së për vitin 2019-2021, si dhe raportin e auditimit për pasqyrat financiare vjetore të RTK-së për vitin 2021” – thuhet në njoftimin e bordit.

Sipas bordit, buxheti i ndarë për 2023 përjashton çfarëdo investimi kapital në RTK, qoftë në pajisje pune, teknologji të re, shpërndarje të sinjalit apo përmbajtje kualitative.

Bordi i RTK-së ka kërkuar që për vitin 2023 buxheti i RTK-së të ndahet ashtu siç është përcaktuar me Ligjin për RTK-në, konkretisht në nenin 21 dhe paragrafin 4, në mënyrë që progresi i bërë të jetë i dukshëm.

“Kjo kërkesë është bërë vetëm për vitin 2023 si vit tranzitor, meqë Bordi është duke finalizuar propozimet për modelet e financimit të RTK-së, ku viti 2024 synohet të jetë vit i fillimit të parapagimit dhe vetëfinancimit të transmetuesit publik, sipas ligjit të ri, i cili duhet të iniciohet sa më parë”- vazhdon njoftimi i bordit të RTK-së.

Anëtari i bordit të RTK-së thotë se buxheti i ndarë nuk i ndihmon për përmirësimin e programit për vitin e ardhshëm