Protesta e Policisë së Kosovës. Foto: Adelina Ahmeti/KALLO.com

Drejtori i PK-së për kërkesat e policëve: Do të shohim cilat janë mundësitë buxhetore

Zyrtarët e Policisë së Kosovës, në javën e dytë të këtij muaji mbajtën për të dytën herë protestë para Qeverisë së Kosovës.

Kryetari i Sindikatës së PK-së, Imer Zeqiri ishte ai që prezantoi 14 kërkesat që kanë policët për qeverinë e vendit.

Për këto kërkesa u pyet edhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Gazmend Hoxha.

Ai tha se do të mundohen maksimalisht bashkë me institucionet shtetërore që t’i adresojnë këto kërkesa.

“Ju duhet me dit që unë punoj me Policinë dhe për Policinë, kërkesat e Policisë do të mundohemi maksimalisht bashkë me ministrin Sveçla dhe me Qeverinë e Kosovës me i adresu edhe me pa cilat janë mundësitë tona buxhetore edhe të Qeverisë edhe PK-së me ec përpara gjatë vitit të ardhshëm” – tha Hoxha.

Për këto kërkesa sot u mbajt takim në mes ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla e Sindikatës së PK-së.

“Ne do të kemi një takim, ndër takimet e shumta që unë dhe drejtori i Policisë kemi me sindikatën e PK-së ashtu siç kemi edhe me sindikatat e institucioneve të tjera që ne udhëheqim, me këtë rast ne do të bisedojmë me ta edhe lidhur me këto kërkesa dhe pastaj do të shohim se çfarë është e mundur dhe çfarë nuk është e mundur për të bërë” – tha ministri i Brendshëm.

Dy protesta u mbajtën nga ana e Policisë për t’i prezantuar kërkesat e tyre për Qeverinë e Kosovës, e të cila kërkesa janë këto:

  1. Përmirësimi i kushteve të punës në përgjithësi, siç janë veshmbathjet, mjetet e punës, mjete logjistike, objektet policore duke pasur parasysh se disa objekte policore dhe automjete si dhe pajisje të tjera të domosdoshme nuk i plotësojnë kushtet minimale për punë
  2. Rrezikshmëria të jetë permanente dhe kërkojmë që shtesa për rrezikshmëri për punë të jetë 25 deri në 50% e pagës bazë si dhe të formohet një komision që do të bëjë ri-vlerësim e nivelit dhe kategorizimin e shtesave për rrezikshmëri
  3. Përfshirja e njësive të caktuara në shtesën për kushte të tregut të punës
  4. Ligji për pensionim në moshën 55-vjecare i njëjtë si me Forcën e Sigurisë së Kosovës
  5. Sigurim jetësor dhe rritjen e fondit në buxhetin e Policisë për shërbimet jetësore me qëllim të mbulimit të shpenzimeve për barna dhe shpenzime tjera
  6. Invaliditeti i pjesëtarëve të PK-së të cilët janë lënduar në kryerje të detyrave zyrtare, kërkojmë që të krijohet një fond apo caktimi i një shume të mjeteve financiare për shkallën e invaliditetit
  7. Përfshirja e stafit civil në shtesën për punë specifike
  8. Shujta ditore për të gjithë pjesëtarët dhe jo në mënyrë selektive, por për të gjithë e barabarta
  9. Pagesa e udhëtimit për ata që udhëtojnë larg nga vendbanimi deri në punë
  10. Shtesa në fondit me vlerë të një page për të gjithë ata që kanë treguar performancë të mirë gjatë vitit
  11. Rikthimi i përvojës së punës për vite në 0.5 siç ka qenë, po ashtu edhe njohja e kulaifikimit shkollor
  12. Të rikthehen tri paga përcjellëse për zyrtarët të cilët pensionojnë
  13. Të lejohet një pagë për të gjithë pjesëtarët e Policisë që mund të kenë rast vdekje në familjen e ngushtë
  14. Përkujdesja për mirëqenin e familjeve të pjesëtareve të PK-së që kanë rënë apo kanë humbur jetën gjatë kryerjes së detyrës apo janë lënduar, si për shembull shkollimi i fëmijëve, punësimi i njërit nga fëmijët apo i një anëtari të ngushtë dhe sigurimi i vendbanimit nëse nuk kanë.

14 kërkesat e Policisë së Kosovës për Qeverinë