Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Drejtori i Akademisë së Drejtësisë raporton në Komisionin për legjislacion

Drejtori ekzekutiv i Akademisë së Drejtësisë, Enver Fejzullahu, ka raportuar para Komisionit për legjislacion për punën e institucionit të cilin e drejton.

Fejzullahu deklaroi para deputetëve të Komisionit se Akademia e Drejtësisë përkundër përballjes me pandeminë ka arritur që të realizojë 100% të planit vjetor të punës.

“Kemi pasë sfidë të madhe, i keni të gjitha detajet për prokurorët dhe gjyqtarët e sapoemëruar të cilët e kanë përfunduar trajnimin, mund të them se plani i Akademisë është aprovuar dhe përmbushur 100% gjatë vitit 2020”, tha Fejzullahu.

Ai tha se përpos prokurorëve dhe gjyqtarëve në Akademinë e Drejtësisë gjatë 2020-tës kanë mbajtur trajnime edhe stafi mbështetës i tyre e po ashtu ndërmjetësuesit dhe përmbaruesit privatë.

Fejzullahu tha se 79% e gjyqtarëve dhe mbi 80% e prokurorëve janë trajnuar gjatë vitit të pandemisë në module të ndryshme të trajnimeve.

Pas raportimit të drejtorit, deputeti Driton Selmanaj kërkoi të dijë nëse Akademia e Drejtësisë po planifikon trajnime për trajtimin e krimeve financiare, lajmeve të rreme dhe krimeve në prokurimin publik.

Fejzullahu deklaroi se lajmet e rreme janë temë në të gjithë botën dhe janë sfidë edhe për Akademinë pasi nuk kanë fond të ekspertëve.

“Fake News është temë në të gjithë botën, ne kemi marrë iniciativë dhe jemi duke zhvillu aktivitete të tilla me anë të trajnimeve. Kjo është sfida më e madhe, ndërtimi i kapaciteteve trajtuese. Është një përpjekje e vazhdueshme ne kemi kriju një 3 trajtues edhe gjyqtar edhe gazetar dhe po mundohemi të krijon një fond të eksperteve”, tha drejtori.

Teksa për krimet kibernetike dhe ato në prokurim publik, Fejzullahu deklaroj se do të rrisë numrin e trajnimeve për trajtimin e këtyre rasteve nga prokuroret dhe gjyqtaret.

Më i zëshemi në këtë takim ishte deputeti Hydajet Hyseni.

Hyseni tha se raporti i drejtorit të akademisë qëndron mirë në aspektin formal dhe sasior mirëpo rezultatet në terren në sistemin e drejtësisë tregon se Kosova nuk qëndron mirë.

“Në fushën e drejtësisë jemi veçanërisht ngadalë, drejtësia jonë është për fat të keq me besimin më të ulët dhe po na kushton në çdo pikëpamje”, tha Hyseni.

Sikurse Hyseni kritik ishte edhe kryetari i Komisionit për legjislacion Adnan Rrustemi.

Rrustemi tha se përkufizimi i punës së Akademisë varet nga përformanca e sistemit të drejtësisë më shumë sesa nga raporti i drejtorit.

Deputeti Rrustemi deklaroi se Akademia e Drejtësisë duhet të mbajë më shumë trajnime në trajtimin e korrupsionit, dhunës në familje dhe krimit të organizuar dhe krimeve të luftës.

“Trajtimi i korrupsionit në Kosovë nga të gjitha të dhënat nga organizatat vendore dhe ndërkombëtare tregojnë se vërejtjet e përgjithshme janë që aspekti profesional i prokurorëve, hetuesve dhe gjyqtareve është se këto vepra nuk marrin trajtimin e merituar”, tha Rrustemi.

Mendim të ngjashëm pati edhe deputetja Blerta Deliu Kodra e cila kërkoi nga drejtori i Akademisë së Drejtësisë që prokurorët dhe gjyqtarët të trajnohen më shumë edhe në aspektin e trajtimit të rasteve të ngacmimeve seksuale.

Në fund drejtori i Akademisë së Drejtësisë deklaroi se nuk është kompetencë e tij që të bëjë vlerësimin e sistemit të drejtësisë mirëpo vetëm t’i dalë në ndihmë këtij sistemi përmes organizimit të trajnimeve.

“Unë nuk mund të dal nga kompetencat e mia, këto hallka të sistemit duhet të harmonizohen me njëra-tjetrën”, tha drejtori.

Pas raportimit të Fejzullahut, deputeti Driton Selmanaj hodhi kritika mbi anëtarët e Komisionit, të cilët, sipas tij, po dilnin prej temës pasi drejtori i Akademisë nuk mund t’i zgjidhë problemet e sistemit të drejtësisë.

“Nuk mund t’i diskutojmë me Akademinë e Drejtësisë problemet e sistemit të drejtësisë, nuk është kompetencë e tij, ne mundemi me kërku prej drejtorit të Akademisë diçka që ka karakter teknik, ndonjë fushë trajnuese mirëpo jo me provu me i zgjidh problemet e drejtësisë me të pasi po dalim prej temës”, tha Selmanaj.

Pas raportimit të drejtorit Fejzullahu, Komisioni për legjislacion vazhdoi me trajtimin e pikave të tjera të rendit të ditës.

Komisioni e formoi grupin punues për vlerësimin e propozimit të Ministrisë së Drejtësisë për emërimin e anëtarëve të Komisionit për provimin e jurisprudencës.

Në këtë grup punues u vendosën deputeti Alban Hyseni, Driton Selmanaj dhe një përfaqësues i minoriteteve.

Përpos formimit të grupit punues, Komisioni miratoi në parim ndryshimin e Ligjit për përgjegjësinë disiplinore të prokurorëve dhe gjyqtarëve.

Krejt në fund Komisioni me 6 vota për e caktoi deputetin Hydajet Hyseni si anëtar të grupit punues në hartimin e procesit të Vetting-ut nga Ministria e Drejtësisë.

Caktimi i deputetit Hyseni në grupin punues për Vetting nxiti reagime të shumta nga deputetët e opozitës.

Fillimisht deputeti i LDK-së Driton Selmanaj i cili ishte propozuar që të caktohej në grupin punues refuzoi të jetë pjesë e tij pasi vlerësoi se një gjë e tillë nuk është etike dhe demokratike.

“Nuk është mirë që me e dërgu një përfaqësues në hartim të politikave, me u përfshi një komision parlamentar në atë komision nuk i bënë nder Kuvendit, e konsideroj të dëmshme që Kuvendi të përfaqësohet në këtë fazë, është në kundërshtim edhe me demokracinë, përkundër qëllimeve fisnike që mund të ketë”, tha Selmanaj.

Pas refuzimit të Selmanajt me propozim të deputetëve të Vetëvendosjes në grupin punues të Vettingut nga Komisioni për legjislacion u votua deputeti Hidajet Hyseni.

Pas emërimit të Hysenit, deputeti Driton Selmanaj i pakënaqur e lëshoi mbledhjen e Komisionit.