Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Dragisha Millenkoviq po dyshohet se kishte goditur të burgosurit e luftës me shkop, grushte e shqelma

Policia e Kosovës ka arrestuar të mërkurën Dragisha Millenkoviq nga Graçanica nën dyshimet për krime lufte.

Sipas dosjes së Prokurorisë, Millenkoviq po dyshohet se në luftën e fundit, në vitin 1999 në cilësinë e personit zyrtar në burgun e Prishtinës dhe Lipjanit ka kryer veprime të cilat cilësohen si krime lufte ndaj popullatës civile.

Millenkoviq dyshohet se pasi që janë transferuar të burgosurit nga burgu i Dubravës në burgun e Prishtinës dhe Lipjanit i ka detyruar të burgosurit të kalojnë përmes një kordoni dhe të njëjtit i kishte goditur me shkop, grushte dhe shqelma.

Sipas dosjes së Prokurorisë, të burgosurit në mënyrë sistematike ishin trajtuar në mënyrë çnjerëzore, duke u torturuar, maltretuar, kanosur me jetë e kështu duke ju shkaktuar lëndime të rënda trupore dhe pasoja në shëndet.

Përveç kësaj, mbi të burgosurit ishte ushtruar edhe dhunë psikike.

Këto veprime, Millenkoviq dyshohet se i ka kryer në bashkëpunim me tre zyrtarë të tjerë ndër të cilët ish drejtori i burgut të qarkut të Prishtinës,  Ljubomir Cimburoviq, si dhe gardianët Predrag Bradiq dhe Milivoje Iliq.

Sipas Prokurorit Special, Atdhe Dema, këto veprime janë në kundërshtim me Konventën Ndërkombëtare të Gjenevës.

Millenkoviq është arrestuar dje në Graqanicë nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës dhe është sjellë sot para gjykatës së Prishtinës ku është mbajtur seanca dëgjimore lidhur me kërkesën e Prokurorisë Speciale për paraburgimin e tij.

Këtë kërkesë Prokuroria e ka bazuar në faktin se ekziston rreziku I arratisë. Kjo pasi që i njëjti ka vendbanimin në Serbi dhe se nuk ekziston asnjë bashkëpunim mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë.

Po ashtu ekziston rreziku se i njëjti mund të ndikojë në dëshmitarë dhe kjo mund të dëmtojë procedurën e gjykimit të tij në vazhdim.

Lidhur me këtë kërkesë u mbajt seanca dëgjimore para gjyqtarit special Valon Kurtaj, dhe pritet të merret vendim mbi caktimin e masës së paraburgimit.

Dje dhe sot në Graçanicë disa qytetarë kanë protestuar dhe kanë bllokuar rrugën regjionale si protestë ndaj arrestimit të Dragisha Millenkoviqit.