Dosja "Subvencionet", ministri tregon sa zyrtarë janë suspenduar pas arrestimeve në Ministrinë e Bujqësisë

Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, në emisionin “Kallxo Përnime” ka folur lidhur  me suspendimin nga puna të zyrtarëve të arrestuar të Ministrisë së Bujqësisë.

Ministri Peci tha se janë rreth dhjetë zyrtarë të suspenduar.

“Menjëherë pas marrjes së mandatit në dy intervale unë kam rekomanduar të ndodhë suspendimi, janë diku rreth dhjetë zyrtarë që janë të suspenduar për shkak se veprat ose pretendimet e organeve të rendit janë goxha serioze”, tha Peci.

Ministri tregoi se disa prej zyrtarëve janë në arrest shtëpiak.

I pyetur nëse personat që janë në arrest shtëpiak marrin rroga, Peci tha se prezumimi i pafajësisë është kategori kushtetuese dhe shumica prej tyre kompensohen në 50% të pagës.

Peci tutje shtoi se nuk ka njerëz që janë pjesë e aktakuzave që nuk janë suspenduar.

Në emisionin “Kallxo Përnime”, ministri Peci tha se ai nuk është intervistuar nga Policia e Kosovës për ketë çështje.

“Jo. Nuk po besoj që kam për çfarë me u intervistu”, tha shkurt ai.

Peci shtoi se veprimi për subvencione i takon periudhës 2019-2020 por kane dalë edhe lëndë dhe procese të mëhershme.

“Nëse flasim për rastin e subvencioneve veprimi është i periudhës 2019-2020 por procesi kur ka filluar procesi i hetimeve dhe organet kanë shkuar retroaktivisht dhe në proces e sipër kanë dalë lëndë dhe procese të mëhershme”, ka thënë ai.