Ilustrim.

Dosja e Prokurorisë: Zyrtari komunal i Vitisë ndryshoi aplikacionin e të pandehurit për subvencione në shkëmbim të 3 mijë eurove

Arton Elezi, zyrtar në Drejtorinë e Bujqësisë në Komunën e Vitisë, është një nga 12 personat e arrestuar gjatë aksionit të djeshëm dhe të sotëm të Policisë për keqpërdorime me subvencionet e Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë (AZHB).

Sipas dosjes së Prokurorisë, të siguruar nga KALLXO.com, Elezi dyshohet se në mënyrë të kundërligjshme ka ndryshuar aplikacionin e të pandehurit S.Q., duke ndryshuar kulturat bujqësore nga grurë dhe misër në bimë mjekësore aromatike në sipërfaqe 20.24 hektarë, krejt kjo me qëllim që Elezi t’ia kërkonte të pandehurit 3 mijë euro ryshfet.

S.Q. më 4 gusht 2020 kishte aplikuat për subvencione. Vetëm 23 ditë më pas, më 27 gusht 2020 në cilësinë e personit zyrtar, Arton Elezi ka ndërhyrë në aplikacionin e të pandehurit.

Madje, pas këtij ndryshimi, Elezi gjithashtu kishte nënshkruar në emër të të pandehurit S.Q., duke e lënë në aplikacion edhe numrin e tij të telefonit.

E gjithë kjo kishte ndodhur me qëllim që S.Q. të përfitonte në mënyrë të kundërligjshme para në vlerë rreth 20 mijë euro.

Por, gjithë këtë shërbim që ia kishte bërë Arton Elezi të pandehurit S.Q., nuk ia kishte bërë falas.

Elezi kishte kërkuar nga ky i fundit ryshfet në vlerë 3 mijë euro.

Mirëpo, më të kuptuar se janë duke u zhvilluar hetime ndaj zyrtarëve të Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë, Elezi fillon që të bëjë presion tek i pandehuri S.Q. që të mos i deklarojë në Polici gjërat që veçse kishin ndodhur.

I pandehuri Elezi kishte kërkuar nga S.Q. që të deklarohej rrejshëm, mirëpo ky i fundit në prani të tre dëshmitarëve ia kishte bërë me dije Elezit që do e tregonte të vërtetën.

Madje, S.Q. i kishte thënë se mbështetet edhe në faktin se në aplikacion ishte nënshkrimi i Elezit dhe jo i tij.

Një gjë e tillë është e dëshmuar në bazë të dy aplikacioneve, ku ai i datës 4 gusht ka tjetër nënshkrim e aplikacioni i datës 27 gusht ka tjetër.

Kjo mesa duket nuk i kishte pëlqyer Elezit, i cili kishte tentuar që ta griste aplikacionin, por nuk kishte arritur rezultat.

Pas kësaj, ai kërkon nga i pandehuri që të mos e dorëzojë aplikacionin në Polici, duke i thënë se aplikacionin e ka hequr nga dosja e lëndës dhe askush nuk e di se ky aplikacion ekziston.

Në dokumentet e Prokurorisë tregohet se pas analizimit të dosjes së S.Q., dosje e sekuestruar nga Ministria e Bujqësisë, është parë se ky dokument nuk ka qenë pjesë e dosjes së lëndës.

Elezi pas gjithë kësaj kishte vendosur që prapë t’i bënte presion S.Q. që të mos e deklaronte të vërtetën.

Kësaj here, ai kishte kontaktuar me njërin nga dëshmitarët ku ishin takuar në një kafiteri në Viti duke i bërë presion që të kërkojë nga S.Q. që të mos i dorëzonte dokumentet në Polici dhe të deklaronte rrejshëm se ka pasur të mbjella bimë mjekësore dhe aromatike.

Me këto veprime, Arton Elezi, zyrtar në Drejtorinë e Bujqësisë në Komunën e Vitisë ka kryer veprat penale – keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar, – pengim i të provuarit apo procedurës zyrtare dhe – marrje e ryshfetit.

Në Gjykatën e Prishtinës sot Elezit i është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh.

Policia e Kosovës kishte njoftuar gjatë ditës së djeshme se kishte arrestuar 11 persona për keqpërdorim me subvencione në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë, ndërsa arrestimi i personit të 12 ka ndodhur sot.

Në njoftimin e Policisë është thënë se 8 nga të arrestuarit janë përfitues subvencionesh, ndërsa 3 të tjerët janë zyrtarë.

KALLXO.com ka raportuar gjatë ditës së sotme se njëri nga këta të arrestuar është Liridon Fandaj, asamblist i pezulluar nga anëtarësia i Lëvizjes Vetëvendosje në Komunën e Suharekës.

I dyshuari i dytë i arrestuar, Arton Elezi, është zyrtar në Drejtorinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural në Komunën e Vitisë.

KALLXO.com ka kontaktuar me drejtorin e Bujqësisë në këtë Komunë, Naim Pira i cili e ka konfirmuar se Elezi është arrestuar.

“E di që është një djalë që është arrestu. Kam dëgju edhe unë prej mjeteve të informimit, mirëpo nuk kam ndonjë informatë më shumë”, ka thënë Pira.

I arrestuari i tretë i dyshuar për keqpërdorim me subvencione, Bekim Bruqi, është zyrtar në Institutin Bujqësor në Pejë.

Arrestimin e tij e ka konfirmuar për KALLXO.com drejtori i Institutit Bujqësor të Kosovës, Fehmi Geci.

“Po, është arrestuar”, ka thënë Geci shkurtimisht për KALLXO.com.

Sipas njoftimit të Policisë, 11 të arrestuarit, dyshohet së janë përfshirë në veprat penale keqpërdorim i pozitës apo autoritet zyrtar, marrja e ryshfetit, dhënia e ryshfetit, mashtrimi me subvencione, falsifikimi i dokumenteve zyrtare dhe pengim i të provuarit apo procedurës zyrtare.

Këta të arrestuar janë nga komunat Pejë, Istog, Deçan, Viti, Suharekë dhe Ferizaj.