Komisioni për mbikëqyrjen e AKI-së ia përmend Thaçit hulumtimin e Gazetës Jeta në Kosovë

Drejtori i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës (AKI), Shpend Maxhuni ka raportuar sot para deputetëve të Komisionit për Mbikëqyrjen e AKI-së, në lidhje me këshilltarin tashmë të shkarkuar të presidentit Hashim Thaçi, Branislav Nikoliq.

Raportimi i Maxhunit para deputetëve është bërë me dyer të mbyllura.

Pas përfundimit të mbledhjes, kryesuesit i këtij Komisioni, deputeti Faton Topalli përmendi para mediave gjetjet e Gazetës Jeta në Kosovë se Nikoliq kishte mbajtur poste të larta publike edhe më herët.

“Ajo që dihet deri më tani është se zotëri Nikoliq ka qenë anëtar i bordit të PTK-së, është emëruar në vitin 2012 nga presidenti Thaçi, ai merr edhe rroga nga Presidenca nga viti 2016 pra ka ekzistuar një raport i njohur mes tyre edhe më herët qe nga viti 2012 e deri më tani”, tha sot Topalli.

Gazeta Jeta në Kosovë raportoi javën e kaluar se si Hashim Thaçi e kishte emëruar anëtar bordi në Ndërmarrjen Publike, Postën e Kosovës, në vitin 2012.

Nikoliq kishte marrë edhe një mandat tjetër në bordin e postës në vitin 2015, kur kryeministër kishte qenë Isa Mustafa.

Në një storje televizive të Radio Televizionit të Kosovës ishin publikuar disa pamje ku Nikoliq provonte të gjente dëshmitarë që do të dëshmonin për krimet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Pas ripublikimit të stories, presidenti Hashim Thaçi kishte marrë vendim që ta shkarkojë nga posti i këshilltarit, Branislav Nikoliqin. Ish-këshilltari i Thaçit, Branisllav Nikoliq është vëllai i kryetarit të Komunës së Shtërpcës, në të cilën shtrihet Brezovica.

Posta e Kosovës- – Bordi Politik që Dëshmon Pafuqinë e Kryeministrit

www.kallxo.com