Ish-kryetari i Shtërpcës dyshohet që ka marrë mbi 1 milion euro nga ndërtimet në Brezovicë
Sipas Prokurorisë së Ferizajt, ish-kryetari i Shtërpcës dyshohet se ka marrë ryshfet mbi 1 milion euro.
“Dyshohet se janë disa vila, që janë përfituar si dhurata, vetura të dhëna si dhurata për lëshimin e lejeve (për ndërtimin e shtëpizave të vikendit në parkun Sharri)”, tha prokurori Rasim Maloku në një konferencë për media të organizuar pas aksionit në Shtërpcë, e në rajonin e Ferizajt dhe të Prishtinës.
Ndërsa, kryeprokurori i Prokurorisë së Ferizajt, Shukri Jashari, tregoi për arrestimin e dhjetë personave, të cilët dyshohen në lidhje me ndërtimet në Brezovicë.
Kryeprokurori Jashari ka thënë se sot janë bastisur lokacione në Ferizaj, Shtërpcë dhe Prishtinë.
“Në këtë rast janë ndalur ish-kryetari i Shtërpcës, drejtori aktual i Urbanizmit, inspektorë komunalë, pronar komunal të ndërtimit, disa qytetarë për shkak të dyshimit të veprës penale keqpërdorim të detyrës zyrtare, marrje të ryshfetit dhe dhënie të ryshfetit”, ka thënë Jashari.
Sipas prokurorit të rastit, Rasim Maloku, hetimet për këtë rast kanë filluar në vitin 2019 dhe është ngritur aktakuzë për dhjetë persona.
“Në këtë çështje hetimet kanë filluar në vitin 2019 dhe është ngritë një aktakuzë për dhjetë persona, e cila veç është në fazën e gjykimit në Gjykatën e Ferizajt, kurse në vitin 2020 kemi bërë një hetim të ri ndaj dhjetë personave, ku pastaj e kemi zgjeruar hetimin edhe ndaj dhjetë personave”, ka sqaruar Maloku.
Agron Haziri nga Policia e Kosovës ka bërë të ditur se në aksion ‘Brezovica’ janë arrestuar dhjetë persona, dhe janë kontrolluar 12 lokacione.; Tetë nga personat e arrestuar janë nga rajoni i Ferizajt, ndërsa dy persona jane nga rajoni i Prishtinës.
“Gjatë operacionit janë sekuestruar prova dhe dëshmi materiale si në vijim: para të gatshme në vlerë prej 61 mijë euro, monedha të ndryshme si dollarë, lekë shqiptare, dinarë të Serbisë dhe franga zvicerane, është sekuestruar një pushkë ajrore, janë sekuestruar katër pistoleta, dy pushkë gjuetie, 531 fishekë, të kalibrave të ndryshëm, tre karikatorë, dy gëzhoja, 21 thika, tetë vetura të ndryshme në vlerë rreth 300 mijë euro, 13 telefona, 9 laptopë, 5 USB, katër hard disqe, fletore dhe dokumente të ndryshme, si dhe janë sekuestruar aparate për prodhimin e kryptovalutave”, ka thënë Haziri.
Pamje – Krimet me ndërtime në Brezovicë, aksion i gjerë Njësive Speciale në Shtërpcë