Ilustrim

Dosja e Prokurorisë: Grupi terrorist që planifikonte sulme në Kosovë i lidhur me ISIS

Pesë të dyshuarit për përgatitje të sulmeve terroriste Ardijan Gjuraj, Nuhredin Skenderi, Ergim Syla, Mentor Bellaqa e Shkodran Krasniqi sipas dosjes së prokurorisë të cilën e ka siguruar KALLXO.com cak e kishin Kosovën për kryerjen e sulmeve terroriste.

Të pesë të arrestuarit po dyshohen për veprat penale përgatitje të sulmeve terroriste në Kosovë që lidhen me veprat tjera posedim i paautorizuar i armëve si dhe import e transport të armëve dhe materialeve plasëse.

Në dosje përmendet edhe lidhja e të dyshuarve me organizatën e shpallur terroriste ISIS.

Kjo është përmendur në vendimin për fillimin e hetimeve të Policisë së Kosovës më saktësisht Drejtorisë Kundër Terrorizmit.

Sipas vendimit të siguruar nga KALLXO.com, Gjuraj dhe katër personat e tjerë që nga muaji mars i këtij viti kanë bërë përpjekje për të ndërtuar një strukturë organizative për kryerje të sulmeve terroriste në Kosovë.

Të njëjtit kishin kontraktuar me një person me gradë të lartë në ISIS i cili ishte angazhuar që të siguroj armatim të llojit, murtajë dore, eksploziv si dhe armë të zjarrta me municion.

Këto armë dhe municione janë konfiskuar gjatë dy ditëve të kaluara.

Të pesë të dyshuarit sipas kërkesës për paraburgim të cilën e ka siguruar KALLXO.com kanë pasur role të ndara për kryerjen e veprave penale për të cilat janë arrestuar tre ditë më parë.

Ndaj Ardijan Gjurajt, Ergim Sylës, Nuhredin Skenderit dhe Mentor Bellaqës kishin filluar hetimet për veprën penale përgatitje e veprave terroriste, ndërsa Shkodran Krasniqi po dyshohet për import, eksport, furnizim, transportim, prodhim apo ndërmjetësim e shitje të paautorizuar të armëve apo materialeve plasëse.

Në total të tre të dyshuarit nga ana e Prokurorisë po dyshohen për tre vepra penale të cilat lidhen me njëra tjetrën.

KALLXO.com raportoi sot se tre muaj hetime janë zhvilluar nga ana e policisë dhe prokurorisë i cili përfundoi me arrestimin e pesë personave tri ditë më parë nën dyshimin se të njëjtit po përgatisnin sulme terroriste në Kosovë.

Sipas të njëjtit vendim që ka siguruar KALLXO.com, tutje thuhet se fillimisht Policia e Kosovës, Drejtoria Kundër Terrorizmit me datë 26 gusht kishte paraqitur kallëzim penal kundër të dyshuarit tashmë të arrestuar Ardijan Gjuraj për shkak se i njëjti po dyshohej se së bashku me disa persona të tjerë po përgatisnin sulme terroriste në Kosovë.

Ardijan Gjuraj së bashku me katër persona të tjerë, Nuhredin Skenderin, Ergim Sylën, Mentor Bellaqën e Shkodran Krasniqin, janë arrestuar të dielën e javës së kaluar nga ana e Policisë së Kosovës.

Të njëjtit po dyshohen për disa vepra kontretisht, përgatitjen e sulmeve terroriste në Kosovë, mbajtje në pronësi të armëve pa autorizim si dhe import, eksport, furnizim e transport të armëve apo materialeve plasëse.

Ardijan Gjuraj ishte liruar nga akuza nga Gjykata e Apelit në vitin 2018, pra tre vite më parë.

Ai edhe atë kohë dyshohej si dhe akuzohej për vepra penale që lidhen me terrorizëm.

Në atë kohë Gjykata e shkallës së dytë pas shqyrtimit të ankesave të mbrojtësit të të akuzuarit, avokati Ali Beka, si dhe Prokurorisë Speciale ka vendosur që ta ndryshoj aktgjykimin e Gjykatës së shkallës së parë e cila Gjurajn e kishe gjetur fajtor dhe e kishte dënuar me një vit e pesë muaj burgim nën akuzën se kishte kryer vepra penale që lidhen me terrorizëm.

Sipas aktakuzës në atë kohë, Ardian Gjuraj gjatë viteve 2014-2015 duke jetuar në Gjermani është bërë përkrahës i ideologjisë së organizatës terroriste- ekstremiste ISIS.

Babai i tij, Kujtim Qerkini, e kishte paraqitur në polici Gjurajn, ndërsa Policia e Gjermanisë e kishte deportuar atë në Kosovë më 18 prill 2015.

Por, gjithnjë sipas aktakuzës, në dhjetor të 2015-ës Gjuraj kishte udhëtuar me grupin e organizatës “Liza-R” drejt Turqisë.  Në këtë shtet ai ishte ndarë nga grupi, ndërsa kishte vazhduar rrugën drejt Sirisë, ku u ishte bashkuar grupit të kosovarëve pjesëtarë të ISIS-it.

Në aktakuzë thuhej se Gjuraj ishte arrestuar nga autoritete turke më 25 shkurt 2016, pasi kishte kaluar ilegalisht kufirin Siri-Turqi, duke u futur në territorin e shtetit turk.

Aktakuza sqaron se autoriteteve turke që e arrestuan Gjuraj u ishte paraqitur si shtetas i Rusisë me emrin Ashab Arsayev, ndërsa më 5 shtator 2016 ishte deportuar në Kosovë.

Gjuraj nga Prokuroria akuzohej për veprën penale bashkimi apo pjesëmarrja në ushtrinë ose policinë e huaj, në formacionet e jashtme paraushtarake ose parapolicore, në organizimet grupore apo individualisht jashtë territorit të Republikës së Kosovës.

Detaje se si ishin ndarë rolet e grupit të dyshuar terrorist për përgatitjen e sulmeve në Kosovë