Detaje se si ishin ndarë rolet e grupit të dyshuar terrorist për përgatitjen e sulmeve në Kosovë

Ardijan Gjuraj së bashku me katër persona të tjerë, Nuhredin Skenderin, Ergim Sylën, Mentor Bellaqën e Shkodran Krasniqin, po dyshohen për veprat penale përgatitje të sulmeve terroriste në Kossvë që lidhen me veprat tjera posedim i paautorizuar i armëve si dhe import e transport të armëve dhe materialeve plasëse.

Të pesë të dyshuarit sipas kërkesës për paraburgim të cilën e ka siguruar KALLXO.com kanë pasur role të ndara për kryerjen e veprave penale për të cilat janë arrestuar tre ditë më parë.

Ndaj Ardijan Gjurajt, Ergim Sylës, Nuhredin Skenderit dhe Mentor Bellaqës kishin filluar hetimet për veprën penale përgatitje e veprave terroriste, ndërsa Shkodran Krasniqi po dyshohet për import, eksport, furnizim, transportim, prodhim apo ndërmjetësim e shitje të paautorizuar të armëve apo materialeve plasëse.

Në total të tre të dyshuarit nga ana e Prokurorisë po dyshohen për tre vepra penale të cilat lidhen me njëra tjetrën.

KALLXO.com raportoi sot se tre muaj hetime janë zhvilluar nga ana e policisë dhe prokurorisë i cili përfundoi me arrestimin e pesë personave tri ditë më parë nën dyshimin se të njëjtit po përgatisnin sulme terroriste në Kosovë.

KALLXO.com ka siguruar vendimin për fillimin e hetimeve ndaj Ardian Gjurajt fillimisht i cili dyshohej se nga muaji mars i këtij viti së bashku me disa persona të tjerë të cilin nuk ishin të identifikuar nga ana e policisë në fillim të hetimeve, ishin duke bërë përpjekje për të ndërtuar një strukturë organizative për kryerjen e disa akteve terroriste në Kosovë.

“Duke kontaktuar me një person me gradë të lartë në strukturën e organizatës terroriste ISIS- Zyra për jashtë, është angazhuar për të siguruar armatim të llojit RPB e cila është murtajë dore, eksploziv, armë të zjarrta me municion me qëllim të kryerjes së akteve terroriste në Kosovë”, kështu thuhet në vendimin për fillimin e hetimeve të datës 27 gusht 2021.

Sipas të njëjtit vendim që ka siguruar KALLXO.com, tutje thuhet se fillimisht Policia e Kosovës, Drejtoria Kundër Terrorizmit me datë 26 gusht kishte paraqitur kallëzim penal kundër të dyshuarit tashmë të arrestuar Ardijan Gjuraj për shkak se i njëjti po dyshohej se së bashku me disa persona të tjerë po përgatisnin sulme terroriste në Kosovë.

Ardijan Gjuraj së bashku me katër persona të tjerë, Nuhredin Skenderin, Ergim Sylën, Mentor Bellaqën e Shkodran Krasniqin, janë arrestuar të dielën e javës së kaluar nga ana e Policisë së Kosovës.

Të njëjtit po dyshohen për disa vepra kontretisht, përgatitjen e sulmeve terroriste në Kosovë, mbajtje në pronësi të armëve pa autorizim si dhe import, eksport, furnizim e transport të armëve apo materialeve plasëse.

Ardijan Gjuraj ishte liruar nga akuza nga Gjykata e Apelit në vitin 2018, pra tre vite më parë.

Ai edhe atë kohë dyshohej si dhe akuzohej për vepra penale që lidhen me terrorizëm.

Në atë kohë Gjykata e shkallës së dytë pas shqyrtimit të ankesave të mbrojtësit të të akuzuarit, avokati Ali Beka, si dhe Prokurorisë Speciale ka vendosur që ta ndryshoj aktgjykimin e Gjykatës së shkallës së parë e cila Gjurajn e kishe gjetur fajtor dhe e kishte dënuar me një vit e pesë muaj burgim nën akuzën se kishte kryer vepra penale që lidhen me terrorizëm.

Sipas aktakuzës në atë kohë, Ardian Gjuraj gjatë viteve 2014-2015 duke jetuar në Gjermani është bërë përkrahës i ideologjisë së organizatës terroriste- ekstremiste ISIS.

Babai i tij, Kujtim Qerkini, e kishte paraqitur në polici Gjurajn, ndërsa Policia e Gjermanisë e kishte deportuar atë në Kosovë më 18 prill 2015.

Por, gjithnjë sipas aktakuzës, në dhjetor të 2015-ës Gjuraj kishte udhëtuar me grupin e organizatës “Liza-R” drejt Turqisë.  Në këtë shtet ai ishte ndarë nga grupi, ndërsa kishte vazhduar rrugën drejt Sirisë, ku u ishte bashkuar grupit të kosovarëve pjesëtarë të ISIS-it.

Në aktakuzë thuhej se Gjuraj ishte arrestuar nga autoritete turke më 25 shkurt 2016, pasi kishte kaluar ilegalisht kufirin Siri-Turqi, duke u futur në territorin e shtetit turk.

Aktakuza sqaron se autoriteteve turke që e arrestuan Gjuraj u ishte paraqitur si shtetas i Rusisë me emrin Ashab Arsayev, ndërsa më 5 shtator 2016 ishte deportuar në Kosovë.

Gjuraj nga Prokuroria akuzohej për veprën penale bashkimi apo pjesëmarrja në ushtrinë ose policinë e huaj, në formacionet e jashtme paraushtarake ose parapolicore, në organizimet grupore apo individualisht jashtë territorit të Republikës së Kosovës.

Dosja e Prokurorisë: Sa zgjati hetimi për grupin e dyshuar terrorist