Ilustrim

30 ditë paraburgim të dyshuarve për përgatitje të sulmeve terroriste

Pesë të dyshuarve për përgatitje të sulmeve terroriste u është caktuar masa e paraburgimit me vendim të gjyqtarit të departamentit special të Gjykatës së Prishtinës.

Ardijan Gjuraj, Nuhredin Skenderi, Ergim Syla, Mentor Bellaqa e Shkodran Krasniqi do të qëndrojnë për 30 ditë në paraburgim pasi gjykata vlerësoj se janë përmbushur kushtet për shqiptimin e kësaj mase.

Caktimin e paraburgimit për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësja e gjykatës, Mirlinda Gashi.

“Të pesë të dyshuarve u është caktuar masa e paraburgimit për 30 ditë”, tha Gashi për KALLXO.com.

Masa e paraburgimit u caktua nën dyshimet se ata përgatisnin sulme terroriste në Kosovë e po ashtu disa nga ta po dyshohen për armëmbajtje pa leje dhe import e transport të armëve dhe materialeve plasëse.

Sipas vendimit të siguruar nga KALLXO.com, Gjuraj dhe katër personat e tjerë që nga muaji mars i këtij viti kanë bërë përpjekje për të ndërtuar një strukturë organizative për kryerje të sulmeve terroriste në Kosovë.

Të njëjtit kishin kontraktuar me një person me gradë të lartë në ISIS i cili ishte angazhuar që të siguroj armatim të llojit, murtajë dore, eksploziv si dhe armë të zjarrta me municion.

Këto armë dhe municione janë konfiskuar gjatë dy ditëve të kaluara.

Të pesë të dyshuarit sipas kërkesës për paraburgim të cilën e ka siguruar KALLXO.com kanë pasur role të ndara për kryerjen e veprave penale për të cilat janë arrestuar tre ditë më parë.

Ndaj Ardijan Gjurajt, Ergim Sylës, Nuhredin Skenderit dhe Mentor Bellaqës kishin filluar hetimet për veprën penale përgatitje e veprave terroriste, ndërsa Shkodran Krasniqi po dyshohet për import, eksport, furnizim, transportim, prodhim apo ndërmjetësim e shitje të paautorizuar të armëve apo materialeve plasëse.

Në total të tre të dyshuarit nga ana e Prokurorisë po dyshohen për tre vepra penale të cilat lidhen me njëra tjetrën.

KALLXO.com raportoi sot se tre muaj hetime janë zhvilluar nga ana e policisë dhe prokurorisë i cili përfundoi me arrestimin e pesë personave tri ditë më parë nën dyshimin se të njëjtit po përgatisnin sulme terroriste në Kosovë.

Ardijan Gjuraj së bashku me katër persona të tjerë, Nuhredin Skenderin, Ergim Sylën, Mentor Bellaqën e Shkodran Krasniqin, janë arrestuar të dielën e javës së kaluar nga ana e Policisë së Kosovës.