Ilustrim

Djegia e trafos, Policia tregon arsyet e këtij veprimi të të dyshuarve

Një trafo e rrymës ishte djegur sipas Policisë në mënyrë të qëllimshme më ​3 janar të këtij viti në fshatin Gjonaj të Prizrenit.

Hetimet e Policisë kishin filluar në ditën kur ka ndodhur rasti, e sot këto hetime rezultuan në arrestimin e dy personave të dyshuar.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, ka treguar për KALLXO.com se veprimet e të arrestuarve erdhën pas pakënaqësisë me furnizimin me rrymë elektrike.

R.D. i moshës 52-vjeçare dhe P.M. i moshës 40-vjeçare janë dy të arrestuarit që po dyshohet se kanë kryer veprat penale – zjarrvënie, dhe – asgjësimi, dëmtimi ose heqja e instalimeve publike.

Policia ka thënë se arrestimi i tyre erdhi pasi janë gjetur prova të mjaftueshme se të dyshuarit kryen në mënyrë të qëllimshme veprat penale.

Të dyshuarit, pas intervistimit, me urdhër të prokurorit janë ndalur në mbajtje për 48 orë dhe ndaj tyre u njoftua se do të ngrihet kallëzim penal.