Djegen edhe tre vetura të tjera në veri të Kosovës

Edhe tri vetura të tjera janë djegur në veri të Kosovës, përkatësisht në Leposaviq, në orët e para të mëngjesit të së shtunës.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Mitrovicës së Veriut, Besim Hoti, i cili ka thënë se dy prej veturave kanë qenë me targa të Kosovës dhe një me targa të Serbisë.

Sipas Hotit, nga incidenti nuk ka njerëz të lënduar.

Në ndërkohë, ka reaguar edhe shefi i kabinetit të presidentes Vjosa Osmani, Blerim Vela duke thënë se strukturat e paligjshme të Serbisë po përdorin taktika kriminale dhe terrorizuese.

“3 makina të tjera u dogjën në Leposaviç. Të diskredituara dhe me pakësimin e mbështetjes nga serbët në Kosovë, strukturat e paligjshme të Serbis po përdorin taktika kriminale dhe terrorizuese. Sundimi i ligjit do të mbizotërojë dhe çdo fajtor do të sillet para drejtësisë. Regjimi pyroman i Vuçiçit do të dështojë” – ka shkruar Vela në Twitter.

 

Po ashtu dje ka reaguar edhe Ambasadori i Bashkimi Evropian në Kosovës, Tomas Szunyog, duke e dënuar ashpër djegien e veturave të ri-regjistruara së fundmi me targa të Kosovës, në veri të vendit.

Përmes një shkrimi në Twitter, Szunyog ka thënë se shkatërrimi i pronës private që ka ndodhur gjatë dy ditëve të fundit, me qëllim të frikësimit të popullatës lokale, sipas tij, është i mjerueshëm dhe i papranueshëm.