Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeff Hovenier, Foto: Ambasada Amerikane
Hovenier për djegien e veturave në veri: Këto janë vepra frikacake dhe kriminale
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka reaguar në lidhje me djegien e veturave të ri-regjistruara së fundmi me targa të Kosovës, në veri të vendit.
Hovenier për të dënuar këtë veprim, ka rikthyer një mesazh të cilin e kishte publikuar më 2 nëntor të vitit të kaluar për një ngjarje të ngjashme.
“Fatkeqësisht, më duhet ta përsëris këtë mesazh”- ka shkruar Hovenier.
“SHBA-ja dënon djegien ose shkatërrimin e pronës dhe çdo përpjekje për të frikësuar ata që kanë ose synojnë të marrin targa të veturës RKS sipas ligjit kosovar. Këto janë vepra frikacake dhe kriminale”- thuhej në postimin e ambasadorit amerikan në nëntor të vitit 2022, të cilin e shpëndau përsëri në profilin e tij.
Unfortunately, I need to reiterate this message. https://t.co/mtZCMlqUxq
— Ambassador Jeff Hovenier (@USAmbKosovo) March 31, 2023
Mbrëmë pas mesnatës dyshohet se tre serbëve të Kosovës u janë djegur veturat të cilat ishin regjistruar me targa të Republikës së Kosovës (RKS).
Policia ka njoftuar se dy vetura janë djegur në Mitrovicë të veriut dhe një tjetër në Zveçan.