Diskutimi për Kodin Civil në kuadër të 'Javës së Krenarisë'
Në kuadër të “Javës së Krenarisë” është zhvilluar diskutim mbi Kodin Civil, i cili ka sjellë vëmendjen tek martesa e personave të seksit të njëjtë.
Në këtë panel të udhëhequr nga gazetarja Jeta Xhara, kanë qenë të pranishëm, Eliza Hoxha, deputete e Partisë Demokratike të Kosovës, Nazlije Balaj nga Ministria e Drejtësisë (MD) dhe Arbër Nuhiu, Drejtor i Qendrës për Zhvillimin e Grupeve Shoqërore (CSGD).
Nazlije Balaj nga MD-ja ka thënë se diskutimet për draft kodin civil janë debate që shtrihen në aspektin e pabarazisë.
“Nëse i referohemi Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) dhe debatit të LVV-së, jo vetëm në draft kodin civil, por diskutimet e vazhdueshme edhe para se me qenë kodi edhe para se me qenë ne në pushtet janë diskutime që shtrihen në aspektin e pabarazisë e që adresohet pikërisht ky fenomen, sepse kemi të bëjmë me pabarazinë”- ka thënë Balaj.
Balaj ka thënë se nga viti 2018 punohet në draftin e kodit civil.
“Draftin të cilin e gjetëm, sepse nga viti 2018 punohet në këtë draft, askund, asnjë pikë, asnjë prejse, asnjë nen të këtij drafti nuk është adresu çështja e bashkësive civile, ne si MD në komunikim të përhershëm që kemi qenë edhe me grupe të ndryshme që e përfaqësojn komunitetitin LGBTI kemi diskutu dhe kemi debate”- ka shtuar Balaj.
Në anën tjetër Eliza Hoxha nga PDK ka përmendur mos funksionimin e sistemit elektronik të votimit në Kuvendin e Kosovës.
“Në Kuvendin e Kosovës ka dy vite që nuk punon sistemi elektronik, do të thotë që nuk punon dhe nuk dihet kush çka voton. Nuk kam nevojë unë si Elizë me ja votu kodin civil Albin Kurtit dhe Vetëvendosjes kur nuk më figuron emri, nëse unë duhna me pas një bindje timen, dua me u ditë që unë kam kontribu për një bindje të caktume”- ka thënë Hoxha.
Arbër Nuhiu nga CSGD ka ironizuar me mos funksionimin e sistemit elektronik.
“Tash më mirë po e kuptoj se qoftë se dy vjet duhet kohë e mos me u rregullu sistemi elektronik, për martesa nuk e di sa duhet me pritë”- ka thënë Nuhiu.
Diskutimi “Nga Kriza në Veprim Paneli i parë: Kodi Civil” është zhvilluar në kuadër të “Javës së Krenarisë”, e cila ka filluar nga 5 deri më 10 qershor 2023.
“Java e Krenarisë” këtë vit është duke u mbajtur me slloganin “T’du qashtu qysh je”.