Rruga e pashtruar në fshatin Gadime në Lipjan

Disa familje në Gadime të Lipjanit në hall me rrugën e paasfaltuar

Balta dhe uji nga reshjet po u shkaktojnë vështirësi në lëvizje gjashtë familjeve në rrugën “Musli Limani” në fshatin Gadime të Lipjanit.

Kjo për shkak se rruga përreth shtëpive të tyre nuk është shtruar.

Ramiz Limani, banor i fshatit thotë se një pjesë e rrugës e shtruar para një muaji, nuk është vazhduar te shtëpitë e tyre, për më pak se 100 metra.

“Një shi me ra, hyn uji nëpër oborre, nëpër rrugë s’mund të kalojmë. Na kanë lënë keq për ma pak se 100 metra. Edhe prej ujit e prej borës ne nuk mund të kalojmë gjithë dimrin, as nxënësit nuk s’mund të shkojnë në shkollë, asnjë i sëmurë s’mundemi me dërgu te mjeku”, thotë ai.

Ramizi thotë se kanë dëshirë dhe nevojë që rruga të shtrohet me asfalt gjatë këtij viti.

“Ne kishim pas dëshirë me ndreq bile sivjet sa s’ka ardh bora e shiu, dimri. Për qeto më pak se 100 metra bile me kanë me shtru”, tha ai.

Në anën tjetër, Bukurie Zejnullahu-Jashari, zyrtare e lartë për Komunikim me Publikun Komunën e Lipjanit, në një përgjigje me shkrim për KALLXO.com thotë, se rrugicat do të asfaltohen shumë shpejt.

“Rrugë të shumta gjatë këtij vitit në Gadime janë shtruar por kanë mbetur edhe disa rrugica kryesisht familjare pa u shtruar ku besojmë që edhe ato shumë shpejt do të asfaltohen sepse janë buxhetuar për asfaltim edhe rrugë tjera të Gadimes në 2021”, thuhet në përgjigjen e saj.