Flamuri i Iranit

Diplomatët iranianë djegin dokumentet disa orë para se të largoheshin nga Shqipëria

Në mëngjesin e së enjtes, diplomatët iranianë dogjën dokumentet para ambasadës në Tiranë, disa orë përpara se të largoheshin nga vendi, pasi Shqipëria ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me Iranin, duke akuzuar Republikën Islamike për një sulm kibernetik në korrik, raporton Reuters.

Në një video adresim të mërkurën, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama tha se kishte urdhëruar diplomatët dhe stafin iranian të mbyllnin ambasadën dhe të largoheshin nga vendi brenda 24 orëve.

Rama tha se sulmi kibernetik i korrikut ka “kërcënuar të paralizojë shërbimet publike, të fshijë sistemet dixhitale dhe të hakojë të dhënat shtetërore, të vjedhë komunikimin elektronik të qeverisë në internet dhe të shkaktojë kaos dhe pasiguri në vend”.

Një dëshmitar i Reuters pa një burrë nga brenda ambasadës duke hedhur letra në një fuçi të ndryshkur, me flakët që ndriçonin muret e ambasadës trekatëshe.

Uashingtoni, aleati më i afërt i Shqipërisë, fajësoi gjithashtu Iranin për sulmin dhe premtoi “të ndërmarrë veprime të mëtejshme për ta mbajtur Iranin përgjegjës për veprimet që kërcënojnë sigurinë e një aleati të SHBA”.

Teherani ka dënuar ashpër vendimin e Tiranës për të ndërprerë marrëdhëniet e saj diplomatike duke i quajtur si “pretendime të pabaza” arsyet e Shqipërisë për këtë masë.

Shqipëria dhe Irani kanë pasur marrëdhënie të tensionuara që nga viti 2014, kur Shqipëria pranoi rreth 3,000 anëtarë të grupit opozitar në mërgim “Organizata e Muxhahidëve Popullor të Iranit”, e njohur edhe me emrin e saj farsi “Mujahideen-e-Khalq”, të cilët janë vendosur në një kamp pranë Durrësit.