Ilustrim
Dhuna seksuale, pasojë e fshehur e pandemisë së COVID-19
Lajmet për dhunime sulme seksuale, ngacmime e deri te sjellje të pahijshme seksuale në publik, e kanë dominuar skenën mediatike krahas lajmeve për pandeminë.
Të dhënat tregojnë se në total për tre muaj janë shënuar 43 raste të dhunimeve e sulmeve seksuale ndërsa institucionet nuk kanë të dhëna për numrin e fshehur të këtyre rasteve.
Në mes të muajit mars, Kosova vendosi masa të kufizimit të lëvizjeve në publik si masa mbrojtëse përballë virusit.
Të dhënat e Policisë tregojnë që në këta tre muaj dhuna seksuale nuk është ulur por ka qëndruar në të njëjtin stad si në kohën para pandemisë.
Institucionet e drejtësisë në këtë kohë janë kursyer që t’i burgosin personat e arrestuar dhe të dhënat nga terreni tregojnë që një pjesë e madhe e të arrestuarve për sulme e dhunime seksuale janë lënë të lirë në procedurë të rregullt.
Një raport zyrtar shkruan se më 5 maj në rajonin e Mitrovicës një vajzë ishte dhunuar nga tre persona. Raporti sqaron se tre të dyshuarit pas 48 orësh ishin liruar në procedurë të rregullt.
Një raport tjetër tregon se një vajzë e mitur ishte sulmuar seksualisht ndërsa i dyshuari ishte liruar menjëherë me urdhër të prokurorisë.
Në një deklaratë për media, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se krerët e organeve të drejtësisë nuk ishin fare në dijeni për rastet. Ajo ka folur për një takim të përbashkët mes kreministrit Kurti dhe krerëve të drejtësisë ku ishte diskutuar kjo temë.
“Këshilli Gjyqësor i Kosovës nuk ka qenë i informuar për rastin e dhunës seksuale në Mitrovicë. Nuk ka qenë i njoftuar, ashtu është deklaruar. Ndonëse unë pata reaguar si ministre e Drejtësisë për këto raste, duke bërë thirrje që të raportojnë”, ka deklaruar Haxhiu.
Prokuroria e Mitrovicës nuk ka dhënë detaje për rastet me arsyetimin se janë në pushim për shkak të pandemisë.
“Meqenëse në këtë kohë jemi duke punuar me staf të reduktuar, me vetëm një referent dhe për raste urgjente, ju lus të keni mirëkuptim deri sa të kthehemi në punë dhe atëherë do të mund ta përmbushim në plotëni kërkesën tuaj”, ka thënë zyrtari për informim i kësaj Prokurorie, Valon Preteni.
Për dallim nga Mitrovica në dy raste të tjera, në Deçan dhe Gjilan, ndaj personave të dyshuar për dhunim është caktuar paraburgimi për 30 ditë.
Shkodran Nikçi, zëdhënës në Prokurorinë e Pejës, ka konfirmuar se kjo Prokurori ka bërë kërkese për caktimin e paraburgimit për 3 raste nga kapitulli i veprave penale kunder integritetit seksual.
Dhuna seksuale pasojë e fshehur e pandemisë
Psikologia Brikena Krasniqi mendon se krizat si ajo e COVID-19 dhe katastrofat natyrore i thellojnë edhe më shumë pabarazitë gjinore ndërsa veprimet institucionale në këtë kohë kanë lënë shumë për të dëshiruar.
“Masat e izolimit tek njerëzit kanë ngritur nivelin e stresit psikologjik si dhe faktorin ekonomik”, thotë Krasniqi.
Sipas saj, shumica e rasteve të dhunës seksuale është kryer nga dikush që viktima e njeh më parë.
Erza Kurti nga Rrjeti i Grave të Kosovës mendon se shumë nga rastet e dhunës seksuale nuk raportohen fare në Polici.
“Fatkeqësisht këto raste shpesh kalojnë edhe pa u raportuar në Polici, pra mund të këtë edhe shumë raste të cilat nuk i dimë”, thotë Kurti.
Ajo shton se dhuna seksuale krijon pasoja dhe trauma të mëdha për viktimat.
Struktura aktuale e trajtimit të rasteve të dhunimeve, sulmeve e ngacmimeve seksuale në Kosovë, kërkon që viktima të paraqitet në stacionin e Policisë për të denoncuar rastin.
Kreshnik Gashi nga Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese ka thënë se forma e cila përdoret për të trajtuar rastet duhet të ndryshohet duke krijuar një procedurë ku Policia shkon te viktima.
“Policia nuk duhet t’i thotë eja në stacion dhe hape rastin por të shkojë në vendin ku ndodhet viktima, t’i ofrojë mbrojtje e pastaj të merret me rastin. Kjo duhet të ndodhë në secilin rast të dhunës por edhe te dhunimet dhe sulmet seksuale”, ka thënë Gashi.
Ai ka shtuar se në disa raste dhunimet janë mbuluar edhe nga familjarët e vajzave, të cilët me pretekstin që ajo cka ka ndodhur është turp, i kanë fshehur rastet.
“Situata më së miri ilustrohet kur kemi nëna të cilat i kanë dërguar vajzat për të abortuar vetëm për të fshehur ato çka kanë ndodhur”, ka thënë Gashi.
Vitin e kaluar në Kosovë ka hyrë në fuqi Kodi i ri Penal, i cili përpos dhunimit dhe sulmit seksual e parasheh edhe ngacmimin si vepër penale. Sipas këtij neni, në çdo rast kur një viktimë ngacmohet seksualisht mund të nisë një procedurë penale në polici dhe prokurori.
Me gjithë kriminalizimin e aktit, në mungesë të informacioneve numri i rasteve të ngacmimit vazhdon të mbetet i ulët.
Lidhur me rastet e dhunimit seksual gjate kohës se pandemisë, KALLXO.com është munduar të kontatktojë dhe me drejtorin e përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, por i njëjti ishte i paqasëshm.
Ndërsa rastet e dhunës seksuale sipas raportit të Policisë për rajone gjatë muajve janar-maj 2020 janë:
Viti 2020 Viti 2019
Prishtinë -6 raste 5 raste
Fushë Kosovë- 2 raste 3 raste
Graçanicë-1 rast 0 raste
Gjakovë -4 raste 5 raste
Malishëve- 3 raste 2 raste
Mitrovicë e Jugut-1 rast 1 rast
Mitrovicë e Veriut-1 rast 0-raste
Obiliq-1 rast 0 –raste
Vushtrri-2 raste 1 rast
Skenderaj-1 rast 1 rast
Istog- 1 rast 0 raste
Lipjan-2 rast 3 raste
Gjilan- 2 raste 4 raste
Pejë- 3 raste 0 raste
Deçan- 1 rast 0 raste
Podujevë- 2 raste 0 raste
Prizren- 1 rast 1 rast
Ferizaj- 1 rast 1 raste
Suharekë –o raste 0 rast
Zveçani 0 raste 0 rast
Zubin Potoku 0 raste 0 rast
Gllogovc 0 raste 2 raste
Kaçanik 0 raste 2 raste
Kamenicë 0 1 rast
Klinë 0 3 raste
Leposaviq 0 1 rast
Rahovec 0 2 raste
Vitia 0 1 rast
Nga vende të panjohura – 8 raste 8 raste
Totali 43 raste 46 raste
Ky botim është prodhuar si pjesë e projektit “Mbështetja e medieve dhe gazetarisë për të drejtat e njeriut në Kosovë”, përkrahur nga zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe realizuar nga Kosovo 2.0, CEL dhe QKSGJ. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e Internews Kosova dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i BE-së, K2.0, CEL apo QKSGJ.