Dhuna në familje, katër raste raportohen në 24 orët e fundit

Katër raste të dhunës në familje janë raportuar në Polici në 24 orët e fundit në Kosovë.

Rastet janë raportuar në Podujevë, në Prishtinë, në Rahovec dhe në Mitrovicë.

Në Podujevë, Policia ka arrestuar një burrë nën dyshimin se ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes dhe djalit të tij.

Ngjarja ka ndodhur dje rreth orës 13:15.

Sipas Policisë, viktimave u është ofruar tretman mjekësor ndërsa i dyshuari pas intervistimit me urdhër të prokurorit është dërguar në mbajtje.

Një grua në Prishtinë ka raportuar që burri i saj e ka kanosur dhe ka ushtruar dhunë psikike ndaj saj.

Ngjarja ka ndodhur dje rreth orës 12:00.

I dyshuari nuk është hasur nga policia, në lidhje me rastin është konsultuar prokurori dhe rasti vazhdon të hetohet, ka njoftuar Policia.

Edhe në Rahovec një burrë është arrestuar nën dyshimin se ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij.

Ngjarja ka ndodhur dje. Sipas Policisë, viktimës i është ofruar trajtim mjekësor, ndërsa gjatë intervistimit ajo ka dorëzuar edhe dy fishekë kalibrit 9×19 milimetra që deklaron se janë pronë e të dyshuarit.

Policia ka njoftuar se i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje.

Një burrë në Mitrovicë është arrestuar pasi dyshohet se ka fyer bashkëshorten e tij.

Rasti është raportuar dje në ora 14:44 dhe sipas Policisë i dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.