Ilustrim: BIRN

Dhjetëra raste të dhunës në familje për 24 orë në Kosovë

Dhjetëra raste të dhunës në familje janë raportuar në Policinë e Kosovës gjatë 24 orëve të fundit.

Sipas të dhënave të policisë, rastet kanë të bëjnë kryesisht me dhunën e burrave ndaj grave, derisa ngjarjet janë nga komuna të ndryshme të vendit, përfshirë Prishtinën, Gjakovën, Vushtrrinë, Prizrenin, Fushë Kosovën, e Malishevën.

Disa nga të dyshuarit për këto sulme edhe janë arrestuar e disa të tjerë janë liruar nga organet e rendit dhe të sigurisë.

Një rast i dhunës në familje është raportuar të ketë ndodhur në Prishtinë, dje rreth orës 12:40.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se është arrestuar i dyshuari pasi që i njëjti pas një mosmarrëveshje ka sulmuar fizikisht një burrë dhe një grua. Sipas policisë, burri ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Një tjetër grua ka pësuar lëndim të lehtë trupor, pasi që është sulmuar fizikisht nga një burrë, dje në Fushë Kosovë, rreth orës 08:45. Ndërkaq, i dyshuari është arrestuar nga ana e policisë.

“Viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari pas intervistimit, me vendim të prokurorit dërgohet në mbajtje”, thuhet në raportin policor.

E në Prizren një grua është kërcënuar dhe ofenduar nga një burrë, por i dyshuari më pas është liruar.

Edhe në  Malishevë, është arrestuar i dyshuari pasi që i njëjti kishte ushtruar dhunë fizike ndaj viktimës, e cila më pas ka pranuar tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Policia e Kosovës e  ka arrestuar një person në Vushtrri, po ashtu nën dyshimin për dhunë në famile, pasi që i njëjti pas një mosmarrëveshje ka sulmuar gruan.

Viktima ka pranuar tretman mjekësor dhe më pas është liruar, ndërsa i dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit, është në procedurë të rregullt.

Në anën tjetër, në Gjakovë, në gjendje të dehur burri rrahu gruan. PK-ja njofton se i dyshuari është dërguar për ekzaminim mjekësor dhe më pas me vendim të prokurorit, është dërguar në mbajtje.

Vec dhunës në familje, gjatë 24 orëve të fundit është raportuar edhe për sulm seksual.

Një person është arrestuar nën këto dyshime në Fushë Kosovë, dje rreth orës 07:50.

Policia e Kosovës tutje ka njoftuar se i dyshuari kishte tentuar që me forcë të hyjë në shtëpinë e viktimës shtetase e Maqedonisë së Veriut. Ndërkaq, pas intervistimit, me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Gjatë kësaj periudhe kohore në qytetin e Lipjanit në pranga është vënë një person, pasi që i njëjti pas një mosmarrëveshje e kishte sulmuar një burrë.

Viktima ka pranuar tretman mjekësor, kurse me vendim të prokurorit, pas intervistimit palët janë liruar dhe rasti shkon në procedurë të rregullt.

Raste të dhunës në familje, e sidomos ndaj grave janë raportuar të kenë ndodhur në Kosovë në vazhdimësi.

Së fundi, një skenë makabre e krimit është përshkruar në dokumentin e Prokurorisë së Mitrovicës lidhur me një tentimvrasje në Skenderaj.

Në kërkesën e Prokurorisë për ta paraburgosur të dyshuarin F.R, thuhet se ky i dyshuar  të mërkurën ka therur bashkëshorten e tij derisa ajo dhe fëmijët e tyre ishin në gjumë.

F.R dyshohet se në orët e hershme të mëngjesit me thikë kishte therrur gruan në gjoks, bark, duar dhe këmbë.

Sipas Prokurorisë, viktima ishte sulmuar rreth 20 herë.

Nga britma e viktimës të shkaktuara në dhomën e fjetjes, aty kishte shkuar vëllau i të dyshuarit, i cili kishte shkuar për të shikuar se çfarë po ndodh dhe kishte parë viktimën e shtrirë në dysheme të gjakosur dhe duke kërkuar ndihmë.

Vëllai i të dyshuarit kishte shkuar menjëherë poshtë në sallon dhe ka vërejtur vëllain e tij, tani të pandehurin F.R me duar të përgjakuara dhe thikë në dorë dhe menjëherë e kishte njoftuar policinë.

Viktima me pas ishte dërguar në QKMF në Skenderaj.