Dosja e Prokurorisë- Burri nga Skenderaj theri gruan në gjumë

Një skenë makabre e krimit është përshkruar në dokumentin e Prokurorisë së Mitrovicës lidhur me një tentimvrasje në Skenderaj.

Në kërkesën e Prokurorisë për ta paraburgosur të dyshuarin F.R, thuhet se ky i dyshuar  të mërkurën ka therur bashkëshorten e tij derisa ajo dhe fëmijët e tyre ishin në gjumë.

F.R dyshohet se në orët e hershme të mëngjesit me thikë kishte therrur gruan në gjoks, bark, duar dhe këmbë.

Sipas Prokurorisë, viktima ishte sulmuar rreth 20 herë.

Nga britma e viktimës të shkaktuara në dhomën e fjetjes, aty kishte shkuar vëllau i të dyshuarit, i cili kishte shkuar për të shikuar se çfarë po ndodh dhe kishte parë viktimën e shtrirë në dysheme të gjakosur dhe duke kërkuar ndihmë.

Vëllai i të dyshuarit kishte shkuar menjëherë poshtë në sallon dhe ka vërejtur vëllain e tij, tani të pandehurin F.R me duar të përgjakuara dhe thikë në dorë dhe menjëherë e kishte njoftuar policinë.

Viktima me pas ishte dërguar në QKMF në Skenderaj.

Prokuroria në kërkesën e saj ka thënë se nga arsyet e lartëcekura ekziston dyshimi i bazuar për kryerjen e veprës penale nga i pandehuri, andaj në mënyrë që i njëjti të mos ndikojë tek e dëmtuara (e cila ende nuk është dëgjuar) dhe dëshmitarët e tjerë, ka kërkuar që t’i caktohet masa e paraburgimit.

Po ashtu si arsye për caktimin e kësaj mase prokuroria ka dhënë raportin e acaruar mes të dyshuarit dhe fëmijëve dhe se i njëjti edhe më herët kishte ushtruar dhunë fizike ndaj viktimës për çka është inicuar edhe një rast.

Kurse mbrojtësi i të pandehurit, avokati Vehbi Beqiri ka thënë që duke u bazuar në faktin se i dyshuari nuk është deklaruar lidhur me rastin, ka shtuar se sa i përket dyshimit të paraqitur në kërkesën e prokurorisë në këtë fazë nuk do të deklarohet.

Por Beqiri i ka propozuar gjykatës që për të pandehurin të bëhet ekspertizë psikiatrike dhe psikologjike e cila sipas tij do t’i ndihmonte atij si mbrojtës por edhe organeve tjera që bazuar në rezultatet e të njëjtave të sqarohen rrethanat.

Ndërsa në një deklarim të tij në seancë i pandehuri ka shprehur  ka thënë  se ka një javë që kishte pasur presion psikologjik nga bashkëshortja dhe fëmijët e tij.

“ Një javë më herët ka bërë presion psikologjik te unë krejt kohën, ashtu edhe fëmija por edhe nëna e tyre krejt kohën anën psikologjike më ka qit jashtë vetës, unë dyshoj që ajo mëka qit diçka në gotë “, ka thënë i pandehuri.

Vendimi për caktimin e masës pritet të merret sot nga gjyqtari Nikolla Kabashiq.