Foto: Ilustrim

Detajet e Prokurorisë për të arrestuarin e dyshuar për dhunim në Fushë Kosovë

Mëngjesin e sotëm, KALLXO.com raportoi për një arrestim të një personi në Fushë Kosovë, nën dyshimet për dhunim të një gruaje.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka njoftuar se me aktvendim të Prokurorit të Shtetit, ka ndaluar një person për 48 orë, pasi i njëjti dyshohet se ka kryer veprën penale “Dhunim”.

Sipas Prokurorisë në Prishtinë, i dyshuari, i paraqitur si person në këndim të Kuranit (Rukexhi) për shërimin e sëmundjeve të ndryshme, dyshohet se në banesën e tij në Fushë Kosovë, gjersa kishte pranuar viktimën për ofrimin e shërbimit-trajtimin shëndetësor, i njëjti ka kryer veprën penale të lartcekur.

“Prokurori i Shtetit, ka lëshuar urdhëresë për ekzaminim mjeko-ligjor për viktimën, ndërsa brenda afatit ligjor do të paraqet kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit. Prokuroria në koordinim me policinë janë duke i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për sqarimin e plotë të rastit në fjalë”, thuhet në njoftim.

Bashkësia Islame e Kosovës ka reaguar në lidhje më raportimet se një hoxhë është arrestuar në Fushë Kosovë.

Sipas njoftimit bërë nga Këshilli i Bashkësisë Islame, i arrestuari nuk është hoxhë.

“Përkitazi me lajmin se sot, në komunën e Fushë Kosovës është arrestuar një hoxhë, Këshilli i BI-së në Fushë Kosovë njofton opinionin e gjerë si dhe besimtarët myslimanë, se i arrestuari në fjalë nuk është pjesë e Këshilli të BI-së, madje i arrestuari nuk është fare imam-hoxhë, e as teolog islam”, thuhet në njoftim.

Këshilli i BI-së ka bërë të ditur se i arrestuari nuk ka të bëjë asgjë me misionin e imamit dhe nuk është pjesë e BIK-ut.