Detaje se si i iku Radojiçiq nga "duart" policëve të Kosovës

Millan Radojiçiqit i kanë mbetur dokumentet në pikën kufitare pasi ai është arratisur në sytë e tre ose katër policëve të Kosovës.

Siç mëson KALLXO.com, ai kishte komunikuar me eprorët e pikës dhe pasi i kishin thënë të parkohej, Radojiçiq ishte kthyer në Serbi.

Pak minuta më parë KALLXO.com raportoi se Millan Radojiçiq ka arritur t’i arratiset Policisë së Kosovës në pikën kufitare në Bërnjak.

KALLXO.com mëson se Radojiçiq ishte vendosur në listën e të kërkuarve para pak ditësh ndërsa ka arritur t’u arratiset policëve nga pika kufitare.

Sipas burimeve të KALLXO Radojiçiq po udhëtonte nga Serbia për në Kosovë dhe në hyrje të pikës kufitare ai është pritur nga njëri prej eprorëve të pikës.

Në momentin kur polici kufitar ka kontrolluar dokumentet e tij ka rezultuar se ai është person në kërkim. Sipas të njëjti informacion, pasi Radojiçiq ka rezultuar në listën e kërkimit ai ka vozitur makinën e tij mbrapa dhe është arratisur për në Serbi.

Rrethanat se si policët i kanë mundësuar këtë arratisje ende nuk janë zbardhur ndërsa një grup hetimor po heton veprimet e policëve.

Radojiçiq ishte shpallur në kërkim për rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit. I njëjti pas një kohe ishte fshirë nga lista e kërkimit me vendim të prokurorit që po e hetonte çështjen.

Pas një kohe Prokuroria Speciale sërish e ka vendosur në listën e personave të kërkuar.

Kjo është hera e dytë që Radojiçiq arrin t’i arratiset Policisë së Kosovës.

Dy vite më parë ai ishte larguar nga banesa e tij pak minuta para se Njësitë Speciale të tentonin ta arrestonin.