Foto: KALLXO.com

Detaje për krimet dhe lokacionet e pretenduara të përmendura në aktakuzën kundër katërshes së UÇK-së

Gjykata Speciale në faqen e saj zyrtare ka publikuar aktakuzën kundër ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimitare të Kosovës (UÇK).

Aktakuza e konfirmuar më 26 tetor 2020 përmend katërshen Hashim Thaçi me nofkën ‘Gjarpëri’, Kadri Veseli me nofkën ‘Luli’, Rexhep Selimi me nofkën ‘Dhjetëshi’ dhe Jakup Krasniqin.

Në aktakuzën e konfirmuar thuhet se së paku midis marsit 1998 dhe shtatorit 1999 u kryen krimet e luftës të arrestimit dhe ndalimit të paligjshëm ose arbitrar, trajtimit mizor, torturës dhe vrasjes së paligjshme dhe krimet kundër njerëzimit të burgosjes, akteve të tjera çnjerëzore, torturës, vrasjes së paligjshme, zhdukjes me forcë të personave dhe përndjekjes.

Likoci

Në pikën 60 të aktakuzës thuhet se mes prillit 1998 dhe janarit 1999 komandanti i zonës operative të Drenicës Sylejman Selimi, Sabit Geci dhe shumë anëtarë të UÇK-së morën në mbajtje së paku 25 persona, për periudha të ndryshme kohore pa proces gjykimi, në ish stacionin e policisë dhe lokacione të tjera në Likoc, Skenderaj. Të ndaluarit ishin lidhur dhe mbajtur në mbikqyrje në errësirë, qeli të mbyllura dhe dritare me mbrojtje. Disa të ndaluar në Likoc ishin mbajtur po ashtu edhe në pika tjera të ndalimit.

Jabllanica
Mes prillit të vitit 1998 dhe fundit të korrikut, një qendër e UÇK-së ekzistonte në Jabllanicë, Gjakovë nën komandë të Lahi Brahimaj. Lahi Brahimaj dhe shumë anëtarë të tjerë të UÇK-së ndaluan së paku 13 persona në periudha të ndryshme kohore pa proces të gjykimit në një kompleks në Jabllanicë që gjithashtu shërbeu si barakë. Dokumentet dhe gjërat e të ndaluarëve ishin konfiskuar. Ata ishin të lidhur me litarë, zingjirë dhe mbaheshin në mbikqyrje.

Llapushnik
Mes fundit të prillit 1998 dhe 25 ose 26 korrik 1998, persona të UÇK-së operuan një pikë ndalimi në një kompleks me rrethojë në Llapushnik, Drenas. Më shumë se 30 persona ishin ndaluar në Llapushnik pa proces gjykimi. Të ndaluarit, që u mbajtën në periudha të ndryshme kohore, ishin lidhur me zingjirë dhe mbikqyrur. Disa të ndaluar në Llapushnik ishin transferuar në pika tjera ndalimi. Shumë anëtarë të UÇK-së, përfshirë Fatmir Limajn dhe Shukri Bujën, morrën pjesë në arrestimin dhe ndalimin e personave ne Llapushnik.

Drenoc
Mes përafërsisht Majit dhe korrikut të vitit 1998, se paku 38 persona ishin ndaluar nën mbikqyrje të armatosur për periudha të ndryshme kohore dhe pa proces gjykimi në zyrat qendrore të UÇK-së në Drenoc, Rahovec, përfshirë një ish ndërtesë shkollore dhe një ish zyrë regjistrimi. Disa të ndaluar në Drenoc ishin transferuan në pika tjera , përfshirë Malishevën.

Malishevë.
Fillimi ose rreth 17 korriku i vitit 1998 dhe ditët në vijim, anëtarë të UÇK-së transportuan, arrestuan dhe mbajtën persona në lokacione tjera, përfshirë Rahovecin dhe zonat përreth, Drenoc, sih stacioni i policisë në Malishevë. Persona të caktuar të UÇK-së ndalën 48 njerëz për periudha të ndryshme kohore dhe pa proces gjyqësor në ish stacionin policor deri rreth 26 ose 27 korrik 1998. Të ndaluarit ishin mbajtur në qeli të mbyllura dhe në mbikqyrje.

Bajgorë
Mes gushtit 1998 dhe mes të shtatorit 1998, disa anëtarë të UÇK-së ndaluan 16 persona në Bajgorë, Podujevë pa proces gjyqësor. Lokacionin i Bajogorës ishte në zonën operacionale të Llapit, që ishte nën komandë të Rrustem Mustafa.

Lokacione të tjera që përmenden në aktazkuaë janë: Llapashtica. Zllashi, Klecka, Cahani, Kukësi, Prizreni, Ferizaji, konvikti në Gjilan, ish stacioni i policisë në Suharekë, Novobërda.

Në të gjitha këto lokacione flitet për trajtim jonjerëzor, përfshirë tortura të ndryshme dhe mbajtje e personave të lidhur për periudha të ndryshme kohore.

Aktzakuën e plotë mund të lexoni në linkun e mëposhtëm:

Aktakuza gjykata speciale hashim thaci kadri veseli rexhep selimi jakup krasniqi