Foto: N1info.rs

Detaje nga sulmi në shkollën në Beograd, Policia: Adoleshenti kishte përgatitur një 'listë vrasjesh'

Adoleshenti që dyshohet se vrau tetë nxënës dhe një roje sigurie në një shkollë në Beograd të mërkurën, sipas Policisë e planifikoi sulmin për javë të tëra dhe gjithashtu kishte përgatitur një “listë vrasjesh”, raporton BBC.

13-vjeçari u arrestua pas sulmit të së mërkurës në shkollën fillore “Vladislav Ribnikar” në Beograd, e po ashtu raporotohet se janë arrestuar edhe prindërit e tij.

Shtatë nga viktimat e këtij sulmi ishin vajza të kësaj shkolle, gjersa motivi i sulmit është ende i paqartë. Ndërkaq, gjashtë nxënës të tjerë prej tyre katër djem dhe dy vajza dhe gjithashtu një mësues u plagosën nga të shtënat.

Lëndimet më të rënda mësohet se ka pësuar një djalë i cili është qëlluar në qafë dhe gjoks, ndërsa një vajzë me lëndime në kokë ndodhet në gjendje kritike për jetën.

Oficerët me helmeta dhe jelekë antiplumb rrethuan zonën përreth shkollës, që ndodhet në lagjen qendrore Vraçar, pak pas orës 8:40.

Adoleshenti dyshohet se ka përdorur armët e babait të tij, të cilat të dyja kishin leje ligjore. Ai gjithashtu thuhet se para këtij sulmi ka shkuar në poligonin e qitjes më shumë se një herë me babain e tij.

Në një fjalim televiziv drejtuar vendit, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e përshkroi sulmin si “ditën më të vështirë në historinë moderne të vendit tonë”.

Ai tha se i dyshuari do të dërgohet në një klinikë psikiatrike. Sipas ligjit aktual serb, ai nuk mund të mbahet penalisht përgjegjës pasi është nën 14 vjeç.

Vuçiq ka sugjeruar se mosha e përgjegjësisë penale mund të ulet në 12 pas vrasjeve.

Ai ka propozuar gjithashtu disa reforma të tjera, duke përfshirë një kontroll mbi licencat e armëve të zjarrit dhe një shtrëngim të rregullave rreth asaj se kush mund të hyjë në poligonet e qitjes.

Policia thotë se i dyshuari e kishte planifikuar sulmin një muaj më parë dhe se kishte mbajtur një “listë prioritare” të fëmijëve për të synuar dhe në cilat klasa do të shkonte së pari.

Katër nga të plagosurit, tre djem dhe një vajzë, ishin në gjendje të qëndrueshme dhe të vetëdijshme të mërkurën.

Një mësuese e plagosur në sulm u raportua gjithashtu se i ishte nënshtruar një operacioni gjersa ministri i Shëndetësisë tha të martën se jeta e saj ishte në rrezik.

Shumica e viktimave të këtij sulmi kanë lindur në vitin 2009.

Lidhur me këtë rast, në Serbi është shpallur 3 ditë zie kombëtare që fillon nga e premtja.

Zërat e prindërve që qanin mund të dëgjoheshin në rrugët përreth shkollës disa orë pas të shtënave.

Milan Millosheviq, babai i një prej nxënësve të shkollës, tha se vajza e tij ishte në klasën ku u qëllua arma dhe arriti të shpëtonte.

“[Djali] fillimisht qëlloi mësuesin dhe më pas filloi të qëllonte rastësisht,” i tha Millosheviq transmetuesit N1.

“Pashë rojen e sigurisë të shtrirë nën tavolinë. Pashë dy vajza me gjak në këmisha. Ata thonë se ai [qëlluesi] ishte i qetë dhe një nxënës i mirë. Ai së fundi iu bashkua klasës së tyre.”

“Pashë fëmijë që vraponin nga shkolla, duke bërtitur. Prindërit erdhën, ata ishin në panik. Më vonë dëgjova tre të shtëna,” tha një student për transmetuesin shtetëror serb RTS.

Vuçiq tha se i dyshuari ishte miqësuar me rojën, i cili u përshkrua nga një prind si “një burrë që i donte fëmijët”.

Të shtënat masive janë relativisht të rralla në Serbi, e cila ka ligje shumë të rrepta për armët, por zotërimi i armëve në vend është ndër më të lartat në Evropë.

Ballkani Perëndimor është i mbushur me armë ilegale pas luftërave dhe trazirave në vitet 1990. Në vitin 2019, u vlerësua se ka 39.1 armë zjarri për 100 njerëz në Serbi – e treta më e larta në botë, pas SHBA-së dhe Malit të Zi, raporton tutje BBC.

Në të shtënat më vdekjeprurëse që atëherë, Ljubisha Bogdanoviç vrau 14 vetë në fshatin qendror Velika Ivanca në vitin 2013 dhe Nikola Radosavljevic vrau nëntë dhe plagosi pesë në fshatin lindor të Jabukovac në korrik 2007.