Foto: Xhelal Sveçla/Facebook

Detaje nga aksioni i konfiskimit të 272 pajisjeve për prodhimin e Bitcoinit (VIDEO)

Policia e Kosovës ka asistuar dhe mbështetur Doganën e Kosovës në realizimin e kontrollit në veri të Mitrovicës, i cili ka rezultuar me shoqërimin e një personi dhe 272 pajisjeve Antminer, që shërbejnë për prodhimin e valutës digjitale – Bitcoin.

Në asistencë të këtij operacioni, i cili ka filluar në orët e hershme të mëngjesit në veri të vendit, janë angazhuar njësi të profileve të ndryshme policore, konkretisht në fshatin Trebice të Leposaviqit, ku janë konfiskuar 272 pajisje të ndryshme Antminer që shërbejnë për prodhimin e Bitcoinit.

Mjetet e konfiskuara janë:

– Antminer S9i 14.0T-128 copë,

– Antminer S9 13.5T-117 copë,

– Antminer S9 13.0T- 5 copë,

– Antminer S9i 14.5T- 19 copë,

– Antminer S9 10.5T- 3 copë,

“Të gjitha veprimet policore janë realizuar në bashkëpunim dhe koordinim me institucionet kompetente në realizim të kontrollit ndaj veprimtarive ilegale, përderisa mjetet e dyshuara janë konfiskuar në cilësi të provave materiale”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Policia e Kosovës ka potencuar se në bashkëpunim dhe koordinim me autoritetet kompetente do të vazhdojë realizimin e detyrave dhe përgjegjësive të saj në nivel vendi, me qëllim të parandalimit të veprimtarive të ndryshme ilegale.

KËTU mund të gjeni një sekuencë nga aksioni i policisë.

Qeveria e Kosovës ditë më parë kishte marrë vendim lidhur me ndalimin e prodhimit të kriptovalutave për shkak të gjendjes emergjente me furnizim me energji në të cilën ndodhet Kosova.

Ditë më parë Policia e Kosovës kishte konfiskuar tre aparate për prodhim të kriptovalutave në Podujevë.

Kallxo Pernime kishte publikuar hulumtimin se si në katër komunat veriore është duke lulëzuar veprimtaria e prodhimit të kryptovalutave përmes pajisjeve teknologjike të cilat shpenzojnë sasi të madhe të energjisë elektrike.

Katër komunat veriore, Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Zveçan e Leposaviq tash e disa vite nuk paguajnë energji elektrike dhe kjo i ka bërë këto qytete shënjestër e grupeve që merren me këtë veprimtari.

Më poshtë mund ta gjeni emisionin e plotë që është publikuar në maj të këtij viti.