Dështon për të pestën herë konstituimi i Komisionit Hetimor për rezervat, mungojnë deputetët e LVV-së
Ka dështuar për të pestën herë me radhë konstituimi i Hetimor Parlamentar në lidhje me procedurat për furnizimin dhe menaxhimin me rezervat shtetërore, keqpërdorimet dhe abuzimet e mundshme me rezervat shtetërore.
Prezentë në mbledhjen e komisionit ishin deputetët e opozitës por jo edhe ata të pushtetit. Nga Lëvizja Vetëvendosje anëtarë të këtij komisioni janë Armend Muja, Driton Hyseni, Shqipe Meta Isufi, Halil Thaçi dhe Sali Zyba.
Kryetari i këtij komisioni, Rashit Qalaj nga PDK-ja tha se është shqetësuese që një parti që thirret në sundimin e ligjit bllokon këtë iniciativë të opozitës.
“Ne sot thirrëm këtë takim të bëjmë edhe një përpjekje për konstituimin e komisionit. Siç po e shihni po mungojnë pa arsye deputetët e LVV-së ndërsa Kica Xhelili mungon për arsye familjare, na ka lajmëru. Është shqetësuese që një parti që thirret në sundimin e ligjit bllokon iniciativat siç është konstituimi i komisionit hetimor”- tha Qalaj.
Qalaj deklaroi se mungesa e kolegëve të tij nga pozita, i shton dyshimet se ata i frikësohen hetimeve.
“Mungesa e kolegëve i shton dyshimet edhe më shume që ata nuk vijnë në komision frikësohen hetimeve. Është pranu nga kryeministri qe një sasi e grurit kur është importu, mungon, nuk e dijmë por dyshimet janë që është keqpërdor. Pastaj lidhja e kontratës për vajin është dyshimtë dhe shume çështje tjera do dalin në publik”- u shpreh Qalaj.
“Është shumë shqetësuese që partia në pushtet që ka bërë çmos duke përdorë dhunë e gaz lotsjellës dike sulmuar Policinë është thirrë në sundim të ligjit, sot është hera e 5 e tentativës dhe të gjithë ata deputet të LVV-së që janë botuar në Kuvend prapë nuk vijnë me qëllim që të mbulojnë të gjitha ato dyshime për keqpërdorime”- shtoi ai
Më tej, Qalaj shpjegoi se i kanë dërguar një shkresë kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca se si të veprojnë me deputetët që nuk vijnë, por që sipas tij deri më sot nuk kanë marrë përgjigje.
“I kemi dërguar javën e kaluar një shkresë kryetarit Konjufca dhe kemi kërkuar që të dërgon në zyrën ligjore se si të veprojmë me deputetët që nuk vijnë, deri më sot nuk kemi marrë përgjigje mirëpo shpresojmë që ditët në vijim do ketë përgjigje dhe më pas do kemi një vendim se si do vazhdojmë me konstituimin e këtij komisioni”- theksoi deputeti Qalaj.
Ndërkaq deputetja e LDK-së, Valentina Gexha- Bunjaku tha se Komisioni hetimor është mekanizëm i opozitës dhe është votu nga deputetët që po mungojnë teksa shtoi se kërkesa e tyre është që të njëjtit të zëvendësohen edhe pse sipas Gexha -Bunjakut ”me cilindo që zëvendësohen ata nuk vijnë sepse ata janë nxënës të mirë të Albin Kurtit”.
“Është formu komisioni hetimor për rezervat dhe për dhunë në familje. Në atë për dhunë në familje vijnë pozita se dojnë mi hetu prokurorët kurse në këtë për rezervat nuk vijnë se nuk dojnë që qytetarët me zbulu keqëpërdorimet me rezerva. Me keqpërdor në buk është e paarsyshme”- ka thënë ajo.
“Unë propozoj që ky komision të thirret edhe të premten deri sa ata të lodhën e të vijnë. I bëj ftesë Albin Kurtit me i lshu nxansat lë të marrin pjesë në orë të mësimit”- u shpreh deputetja.
Kurse deputeti Pal Lekaj nga AAK-ja tha se deputetët e LVV-së po mundohen të pengojnë konstituimin e komisionit dhe sipas tij “nuk iu intereson interesi publik por partiak dhe ka dominuar gjithnjë interesi partiak i LVV-së”.
“Na kanë mbyt tu na thonë keni pasë korrupsion, keqpërdorime për njëzet vite dhe tash vetë po i mbrojnë keqpërdorimet e abuzimet. A kanë ndryshuar parimet alo mënyra se si në mënyrë perfekte të vidhet qytetari, shteti dhe të mashtrojnë qytetarët për atë që e kanë pasë kauzë, luftimin e dukurive negarive? Në qfarë deregje ka ardhe LVV-ja. Po i mshefin hajninë e keqpërdorimet”- është shprehur Lekaj.
Lekaj propozoi që në ditët në vijim të përgatitin një listë të personave që ftohen në komision për tu intervistuar në lidhje me rezervat shtetërore. Me këtë propozim u pajtuar edhe deputeti i PDK-së, Ferat Shala.
Takimi i radhës i komisionit hetimor për rezervat është ftuar të mbahet të enjten me fillim nga ora 09:30.
Komisioni hetimor parlamentar për rezervat shtetërore është formuar në shtator të këtij viti. Mbështetjen për themelim i kishin dhënë 69 deputetë të Kuvendit mirëpo konstituimin e tij po e bojkotojnë tash e sa kohë ligjvënësit nga LVV-ja.
Nga Lëvizja vetëvendosje anëtarë të këtij komisioni janë Armend Muja, Driton Hyseni, Shqipe Meta Isufi, Halil Thaçi dhe Sali Zyba.
Dy zyrtarë të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Irfan Lipovica dhe Hafiz Gara, bashkë me afaristin Ridvan Muharremi, janë arrestuar në gusht të këtij viti nën dyshimin për veprat – keqpërdorim i detyrës zyrtare, si dhe – dhënie të ndihmës në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare.
Bastisjet dhe arrestimet erdhën pas publikimit të audioincizimeve të medias ‘Nacionale’ për rezervat shtetërore.
Sipas Prokurorisë, pavarësisht se u janë paguar paratë kompanive turke e polake për grurë, vaj e sheqer, këto produkte nuk kanë ardhur në Kosovë dhe rrjedhimisht buxheti i Kosovës është dëmtuar mbi 600 mijë euro.