Dështimi i "rimëkëmbjes", LDK fajëson partnerët e koalicionit dhe opozitën

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, përmes një konferencë për media, ka bërë të ditura arsyet për dështimin që edhe sot të votohet në lexim të dytë Projektligji për Rimëkëmbjen Ekonomike.

Gashi tha se kjo u pamundësua nga opozita dhe nga një pjesë e partnerëve të koalicionit qeverisës.

“Ne sot tentuam ta mbajmë seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit për leximin e dytë të Ligjit për Rimëkëmbjen Ekonomike. Mbajtja e kësaj seance u pamundësua nga një pjesë e partnerëve të koalicionit dhe nga veprimet obstruktive të opozitës”, tha ai.

“Nuk kemi probleme me partitë shqiptare të koalicionit. Nuk po vjen Lista Serbe në seancë”, shtoi Gashi.

Gashi shtoi se opozita pamundësoi që Kuvendi i Kosovës të merret me problemet ekonomike me të cilat po përballet shoqëria kosovare, “duke qenë  e papërgjegjshme me veprimet e saja dhe duke bërë sjellje obstruktive”.

Ai theksoi opozita nuk ka dhënë mendimet dhe propozimet e tyre për projektligjin në fjalë.

Ende pa filluar seanca e jashtëzakonshme e thirrur për Shqyrtimin e dytë të Projektligjit për Rimëkëmbjen Ekonomike – COVID-19, është mbyllur nga kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani shkaku i mungesës së kuorumit.

Dështon seanca e sotme për Projektligjin për Rimëkëmbje Ekonomike