Dërgohen në mbajtje personat që shkaktuan dhunë në familje

Policia e Kosovës, ka njoftuar që brenda 24 orëve të fundit kanë ndodhur katër raste të dhunës në familje në Prishtinë, Prizren, Gjakovë dhe Mitrovicë.

Në Prizren është arrestuar një person i cili ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij.

“Viktima nuk ka pranuar trajtim mjekësor. I dyshuari ka qenë në ndikim të alkoolit me 2.13 promil. Në lidhje me rastin është konsultuar prokurori i shtetit i cili ka rekomanduar që i dyshuari të ndalet në ndalim policor”, thuhet në njoftim të policisë.

Edhe në Mitrovicë  policia e ka arrestuar një person i cili pas një mosmarrëveshje ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij.

Viktima sipas policisë, ka pranuar trajtim mjekësor dhe së bashku me dy vajzat e saj është vendosur në strehimore në Prishtinë.

“Në lidhje me rastin është konsultuar prokurori i shtetit me vendim të së cilit i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje”, thuhet në raport.

Edhe në Prishtinë është arrestuar një person i cili kishte ushtruar dhunë ndaj “viktimës femër kosovare”.

Në lidhje me rastin sipas policisë është konsultuar prokurori i shtetit me vendim të së cilit i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje.

Ndërkaq, dhunë në familje ka ndodhur edhe në Gjakovë.

Policia e ka arrestuar një person i cili ka ushtruar dhunë fizike ndaj vëllait të tij.

“ Viktima ka refuzuar të merr trajtim mjekësor. I dyshuari ka rezultuar se është nën ndikim të alkoolit me 1.88 promila. Në lidhje me rastin është konsultuar prokurori i shtetit me vendim të së cilit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, përfundon njoftimi.