Mbledhja e Komisonit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale

Deputetja e re ankohet për agresivitet të deputetëve të vjetër në Kuvend

Mirlinda Sopi- Krasniqi, deputete e Aleancës Kosova e Re në Kuvendin e Kosovës është ankuar sot për qasjen që ajo thotë se e kanë deputetët me të vjetër ndaj deputetëve të rinj.

Sopi-Krasniqi që është pjesë e Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, shfaqi pakënaqësitë e saj gjatë mbledhjes së këtij komisioni.

“Deputetët e vjetër po na qasen me agresivitet ndaj deputetëve të rinj dhe besoj se po e ndjejnë të gjithë deputetët e rinj dhe kjo nuk mendoj që kjo është e drejtë sepse edhe ne kemi bagazh dhe jemi pjesë e komisionit”, tha ajo.

Ajo gjithashtu kritikoi diskutimin brenda komisionit lidhur me fuzionimin e ministrive dhe punën e qeverisë së re.

“Nuk është detyrë e jona të diskutojmë numrin e ministrive dhe të kritikojmë një qeveri që nuk ka as një muaj që është në pushtet. I kemi 20 vjet pas luftës dhe ende nuk kemi Ligj për Qeverinë dhe nuk e ka bërë askush deri më tash dhe besoj se kjo është në vullnetin dhe disponimin e Qeverisë që tash është në pushtet e që është LVV dhe LDK, t’i presim pak e t’i shohim sepse nuk do të thotë që do të rrimë gojëmbyllur por as nuk do të duhej të flasim sa për të thënë diçka”, tha ajo.

Komisioni për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale sot ka votuar fushë veprimtarinë e vet pasi dështoi ta bëjë këtë në mbledhjen e kaluar.

Fushëveprimi është ndryshuar dhe përshtatur me emrin dhe detyrat e komisionit.

Ky Komision në kuadër të fushëveprimit dhe përgjegjësive, i shqyrton të gjitha çështjet që lidhen me shëndetësinë dhe me mirëqenien sociale.

Kryetarja e komisionit, Albena Reshitaj ka lexuar fushëveprimn e komisonit ndërkaq pas leximit ka kërkuar diskutim nga anëtarët e komisionit .

KALLXO.com ka raportuar se në mbledhjen e kaluar të këtij komisioni pati konfuzitet për fushëveprimtarinë e vet për shkak të ndryshimit të strukturës qeveritare pas kufizimit të numrit të ministrive në qeverinë e udhëhequr nga Albin Kurti.

 

 

 

Shkurtimi i ministrive krijon paqartësi, deputetët nuk dinë kë ta kontrollojnë