Shkurtimi i ministrive krijon paqartësi, deputetët nuk dinë kë ta kontrollojnë

Komisioni për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale sot ka mbajtur mbledhjen e parë të konstituimit.

Ky Komision në kuadër të fushëveprimit dhe përgjegjësive, i shqyrton të gjitha çështjet që lidhen me shëndetësinë dhe me mirëqenien sociale.

Komisioni përbëhet nga Albena Reshitaj, kryetare e komisionit nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Haxhi Avdyli nënkryetar i parë nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Labinotë Demi- Murtezi anëtare nga Lëvizja Vetëvendosje, Fitim Uka nga Lëvizja Vetëvendosje, Ekrem Hyseni anëtar nga LDK, Uran Ismaili anëtar nga PDK, Bekim Haxhiu anëtar nga PDK, Milos Perovic anëtar nga Lista Serbe, Mirlinda Sopi- Krasniqi anëtare nga Aleanca Kosova e Re, Fitim Haziri anëtar nga Lëvizja Vetëvendosje.

Kryetarja e komisionit, Albena Reshitaj tha se ky komision përbëhet nga 50% të anëtarëve të cilët kanë profesionin e mjekut. Ndërsa shumica prej deputetëve patën paqartësi në lidhje me fushë veprimtarinë  e komisionit për shkak të shkrirjes së ministrive.

Deputetët thanë se e kanë të paqartë se cila është kompetenca e tyre si dhe cilit ministër t’i kërkojnë llogari në lidhje me gjërat e paqarta me mirëqenien sociale për shkak të fuzionimit të ministrive.

Deputetët vendosën që, meqenëse rajoni dhe bota po përballen me koronavirusin të mbahet ndonjë mbledhje ku do të ftohen institucionet relevante në mënyrë që ta informojnë komisionin si dhe të diskutohet për këtë rrezik.