Deputeti Kastrati ironizon me 100 ditët e qeverisë: Nuk është futur “raketa e Jahja Kokës’

Ardian Kastrati deputet i PDK-së, ka thumbuar raportin 100 ditor të qeverisë Kurti, duke thënë se është prekur se në këtë raport nuk është futur edhe “raketa e deputetit Jahja Koka”.

“Dje pasi dëgjova raportin voluminoz të kryeministrit kisha përshtypjen se po flet një kryeministër i një shteti me 7 koka bërthamore a 10 që i ka. U preka shumë që nuk e futi edhe arritjen kulminante që e ka të tre mujorshit të parë. Nuk e futi raketën e Jahja Kokës. Se tash veç me hyp në raketë edhe u kry puna për 3 muaj ditë ky eci përpjetë”, tha ai duke treguar se ka veshur edhe një bluzë me figurë të raketës.

Para disa ditëve, deputeti i Vetëvendosjes, Jahja Kokaj ka thënë se gjatë qeverisjes së Albin Kurti planifikon që të nis një reketë në hapësirë.

Ai vazhdoi të flas me ironi duke thënë se si kryeministri Kurti nuk ka lindur para dy shekujve.

“Më erdhi dhe me kajt, thash qysh s’ka lind ky njeri para dy shekujve, para Hasan Prishtinës, para Ismail Qemalit edhe me rahatu e me kënaq këtë vend para dy shekujve”, tha Kastrati.

Sipas tij 100 ditshi i parë duket si 100 ditshi i fundit i çdo qeverisje, pasi sipas tij Qeveria Kurti është lodhur sikur të ishin ditët e fundit të qeverisjes.