Deputeti i VV-së dhuron rrogën për nxënësit në nevojë

Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Eman Rrahmani ka bërë të ditur se pagën e tij prej deputeti në vlerë 1 mijë e 350 euro, këtë muaj do ta dhurojë për blerjen e pasijeve shkollore për nxënësit me kushte jo të mira me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor.

Rrahmani përmes një postimi në facebook ka thënë se në ditët në vazhdim do të nis dërgimin e çantave dhe materialeve të tjera shkollore.

Tutje deputeti i VV-së ka shkruar se ata që dëshirojnë t’i bashkangjiten kësaj iniciative, janë të mirëseardhur.

“Duke marrë parasysh situatën me pandeminë, gjendjen ekonomike, si deputet i i Republikës së Kosovës, kam vendosur që pagën bazë prej 1,350 euro, ta dhuroj për nxënësit të cilët nuk kanë kushte të mira ekonomike. Në ditët në vijim do t`u dërgoj shkollave çantat shkollore së bashku me materialet e nevojshme për shkollë. P.s, të gjithë ata të cilët dëshirojnë të bashkohen në këtë iniciativë janë të mirëseardhur, jo duke kontribuar me të holla por duke blerë çantat së bashku me materialet shkollore”, thuhet në postimin e Rrahmanit.