Deputeti i PS-së: Vriten dy ushtarë me prejardhje shqiptare në Ukrainë

Deputeti i PS-së dhe ish-kryeministri i Shqipërisë, Pandeli Majko, ka bërë të ditur se janë vrarë në Ukrainë dy ushtarë me prejardhje shqiptare.

Përmes një postimi në Facebook, Majko ka thënë se Konsulli i Shqipërisë në Ukrainë, Omarov Shakhin, e ka njoftuar atë për vrasjen e dy ushtarëve me prejardhje shqiptare, gjatë luftimeve Ukrainë – Rusi.

Sipas Majkos, të vrarët janë Dermentli Anatoly nga fshati shqiptar i Karakurtit në rajonin e Odesës, si dhe Haydarzhy Danylo nga fshati Georgivka, rajoni i Zaporozhias.

“Dermentli Anatoly ishte nga fshati shqiptar i Karakurtit (në rajonin e Odesës). Ai kishte lindur më 3 shtator 1980. U mobilizua në Brigadën e mekanizuar Nr.118 në rajonin e Zaporozhias. Në 15 tetor, humbi jetën, në një mision luftimi” – ka shkruar Majko.

“Haydarzhy Danylo u lind në një familje shqiptare në 26 janar 2002 në fshatin Georgivka.Ai ishte fëmija i dytë në familjen e tij, cila aktualisht, jeton ende në zonën e okupuar nga trupat ruse. Kur filloi lufta ai ishte në Poloni. Në verën e 2022, ai shkoi vullnetarisht për tu mobilizuar, por u refuzua, për shkak të moshës. Në vitin 2023 pas ditëlindjes së 21-të ai aplikoi sërish dhe shërbeu vullnetarisht në Forcat e Armatosura të Ukrainës”.

Po ashtu, Majko ka bërë të ditur se më 22 shtator 2023 janë zhvilluar në qytetin e Zaporozhias ceremonitë funerale të dy djemve me prejardhje shqiptare, ku pranë flamurit të Ukrainës është vendosur edhe flamuri kombëtar shqiptar.