Deputeti i 6 plus: Do ta shqyrtojmë përkrahjen për qeverinë nëse hapet ambasada në Jerusalem

Fikrim Damka, deputet i grupit 6 plus është shprehur i pakënaqur me marrëveshjen e nënshkruar në Uashington mes Kosovës e Serbisë.

Damka tha se do ta shqyrtojnë përkrahjen e qeverisë nëse vendos që të hap ambasadë në Jerusalem.

“Grupi ynë është partner i qeverisjes por me keqardhje ju njoftoj se nuk jemi në dijeni të përmbajtjes së marrëveshjes dhe nuk jemi dakord me të. Nuk i mbështesim pikat që janë në dëm të Kosovës dhe do të doja të bëja të qartë se ne do ta shqyrtojmë përkrahjen tonë për këtë qeveri nëse vendos se do të hap një ambasad në Jerusalem”, tha ai.

Damka kërkoi që tani e tutje të ketë përfaqësues të grupit 6 plus në delegacion.

Kujtojmë se në marrëveshjet e nënshkruara mes Kosovës dhe Serbisë më 4 shtator në ShBA u vendos edhe që Kosova dhe Izraeli të vendosin marrëdhënie diplomatike.