Departamenti Amerikan i Shtetit

DASH: Gazetarët hasën në vështirësi në marrjen e informacionit nga qeveria dhe institucionet publike

Sulmet kibernetike ndaj mediave online, presionet politike, mohimi i së drejtës së qasjes në informacion nga qeveria dhe institucionet publike, mungesa e pavarësisë financiare janë disa nga problemet të cilat kanë shoqëruar gazetarët kosovar sipas raportit të Departamenti Amerikan të Shtetit (DASH) për vitin 2022.

Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) në raportin për të drejtat e njeriut në Kosovë për vitin 2022 ka konstaktuar se rastet e sulmeve kibernetike ndaj mediave online janë rritur.

Sipas DASH, presionet e ndryshme nga politikanët dhe grupet e caktuara kriminale kanë rezultuar me autocenzurë tek gazetarët.

DASH po ashtu ka theksuar se gazetarëve në Kosovë u është mohuar e drejta e qasjes në informacion nga qeveria dhe institucionet publike.

“Gazetarët hasën në vështirësi në marrjen e informacionit nga qeveria dhe institucionet publike, pavarësisht nga ligjet që ofrojnë akses në dokumente publike”- thuhet në raport.

“Nuk kishte raportime për censurë të drejtpërdrejtë të mediave të shkruara ose elektronike, megjithëse gazetarët pretenduan se presioni nga politikanët dhe grupet e organizuara kriminale shpesh rezultonte në autocensurë. Rastet e sulmeve kibernetike ndaj mediave online janë rritur”- konstaton raporti i DASH.

Tutje sipas këtij raporti gazetarët janë tërhequr nga raportimet hulumtuese për shkak të frikës për sigurinë e tyre.

“Disa gazetarë u përmbajtën nga raportimi kritik investigativ për shkak të frikës për sigurinë e tyre fizike ose sigurinë e punës. Gazetarët herë pas here merrnin oferta për përfitime financiare në këmbim të raportimit pozitiv ose braktisjes së një hulumtimi”- thuhet tutje në raportin e DASH-it.

Përveç problemeve të lartcekura, DASH ka ngritur shqetësimin edhe për sulmet ndaj gazetarëve.

“Që nga dhjetori, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka raportuar 29 raste të zyrtarëve qeveritarë, liderëve politikë, stafit gjyqësor, interesave të biznesit, grupeve të komunitetit ose grupeve fetare që kanë sulmuar fizikisht ose kërcënuar verbalisht gazetarë ose kanë kryer sulme kibernetike kundër organeve mediatike”- theksohet në raport.

Tutje sipas raportit edhe Reporterët pa Kufij i kanë bërë thirrje policisë dhe forcave të sigurisë që të ofrojnë mbrojtje më të mirë për gazetarët që raportojnë në veri të Kosovës pas sulmeve ndaj gjashtë ekipeve mediatike midis 15 nëntorit dhe 19 dhjetorit 2022.

Duke përmendur moslejimin e qasjes në informacion nga qeveria e Kosovës, theks të veçantë i është vënë Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD).

“Deri në tetor, Institucioni i Avokatit të Popullit ishte duke hetuar 12 ankesa nga mediat, organizata të shoqërisë civile dhe qytetarë individualë lidhur me shkeljet e supozuara të së drejtës për qasje në dokumente publike, kryesisht nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës”- thuhet në raport.

Tutje sipas raportit Avokati i Popullit kishte arritur në  përfundimin se institucioneve publike u mungonte kapaciteti profesional dhe personeli për t’iu përgjigjur kërkesave për qasje në dokumente publike, gjë që çoi në vonesa të konsiderueshme ose dështime në ofrimin e arsyetimit ligjor për refuzimin ose kufizimin e qasjes.

DASH për çdo vit publikon raportin për të drejtat e njeriut, ky raport mbulon të drejtat e njohura ndërkombëtarisht, të drejtat individuale, civile, politike dhe të punëtorëve, siç parashikohen në Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut dhe marrëveshjeve të tjera ndërkombëtare.

Departamenti Amerikan i Shtetit paraqet raporte për të gjitha vendet që marrin ndihmë dhe të gjitha shtetet anëtare të Kombeve të Bashkuara në Kongresin e SHBA në përputhje me Aktin e Ndihmës së Jashtme të vitit 1961 dhe Aktin e Tregtisë të vitit 1974.

DASH: Korrupsioni qeveritar dhe dhuna me bazë gjinore, ndër problemet kyçe në Kosovë