Kreshnik Hajdari - Foto: VOA

Dënohet për falsifikim kryebashkiaku i Kuçovës, Kreshnik Hajdari

Në Tiranë, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dënoi sot me 9 muaj burg kryebashkiakun e Kuçovës, Kreshnik Hajdari, për falsifikim të vulave dhe formularëve më shumë se një herë, për shkak të mosdeklarimit të një procesi gjyqësor ndaj tij në Greqi.

Ai kërkoi gjykim të shkurtuar në janar dhe procesi u zhvillua bazuar në atë rregull, nga i cili përfitoi uljen e një të tretës së dënimit, deri në 6 muaj burgim, një dënim, i konvertuar në 150 orë punë publike, ose afro 18 ditë pune.

Zoti Hajdari nuk pranoi të komentojë për mediat pasi dol inga gjykata.

Kallzimet për të i bëri SPAK konkurrenti i tij në garën për bashkinë e Kuçovës, Lefter Maliqi.

Një numër jo i vogël zyrtarësh vendorë hetohen në Shqipëri për shkak se nuk përfshijnë në deklaratat e kandidimit rekorde kriminale që kanë patur në shtete të tjerë, ku kanë emigruar, janë arrestuar, ose dënuar për ngjarje të ndryshme.

Ligji për dekriminalizimin solli formularë më të detajuar mbi pastërtinë e kandidatëve për pushtetin vendor dhe atë parlamentar./VOA